EmailFacebookKontakt

“Të shumta i qofshin vjetët”

Në 24-vjetorin e hirotonisjes së tij, Kryepiskopi Anastas u dha studentëve të Shkollës Teologjike “zostikonë”, bëri një hirotoni në prift dhe një gradim në arqimandrit.

Në mëngjesin e 19 nëntorit, 53 djem të rinj, do të merrnin nga Kryepiskopi Anastas që kryente Liturgjinë Hyjnore, zostikonë, rrobën që do të jetë shenja e zellit dhe dëshirës së tyre për të njohur në thellësi të vërtetën e pakundërshtueshme hyjnore të Zotit Jisu Krisht. Kjo, bashkë me bekimin për një vazhdimësi të suksesshme të studimeve teologjike, tashmë në godinën e re të Shkollës Teologjike Hieratike, që hapi dyert për këta të rinj këtë vit arsimor në mjediset e Manastirit të Shën Vlashit.

Më pas u bë hirotonisja në prift e dhiakon Stavri Cipit nga Elbasani, ndërsa një çast i veçantë, në këto vite të rihapjes së kishave në Shqipëri, ishte kur Imzot Anasthsi bëri gradimin në arqimandrit të at Joan Pelushit.

Por, edhe një gëzim tjetër do të zinte vend në këtë të kremte, i cili do përcillej me aq emocion nga at Joan Trebicka në përshëndetjen e tij: 24 vjetori i hirotonisjes në episkop i Fortlumurisë së tij, Kryepiskopit Anastas.

At Joani theksoi në fjalën e tij përmasat e një figure të tillë në arenën panorthodhokse, rolin vendimtar që ka luajtur e luan Imzot Anastasi në rimëkëmbjen e ndryshimet që kanë ndodhur në jetën e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, gjatë qenies si primat i saj këto vite të fundit të ngjalljes së vërtetë. Ai vuri në dukje numrin e madh të kishave të restauruara apo të reja të ngritura në çdo skaj të Shqipërisë ku jetojnë e banojnë orthodhoksë, si dhe ndihmën e madhe që po jepet në vazhdimësi për ngjalljen shpirtërore.

Fjalët e urimit që buronin nga zemra e çdo besimtari për Fortlumturinë e Tij, “për të qenë përherë një shpjegues i drejtë i së Vërtetës Sate”, do të shoqëroheshin nga tingujt hyjnore të “Për shumë vjet o kryezot” dhe me urimin “të shumta i qofshin vjetët” në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për përhapjen e të Vërtetës Hyjnore.

Kristina Hanxhari