Doja ta vështroja me sytë e mi, lindjen e atij Dielli; doja të kënaqesha me aromën e Asaj Luleje, që do të hapte petalet e Saj të bardha.
Ndaj si shumë besimtarë nga Tirana, Durrësi, Lushnja, Fieri, Patosi… renda në 8 shtator, drejt manastirit “Lindja e Hyjlindëses”, drejt Ardenicës.
Eshtë bukur të shohësh lindjen e diellit në Lindjen e Saj, sidomos në këtë vend, ku Dora e Zotit ka dhuruar bekimin; ku gjelbërimi ndërthuret me nuancat e tokës, ku shpërthejnë ëmbël ngjyrat e qiellit dhe bluja e detit të largët. E duke i parë, shikimi të përthyhet si një rreze e lumtur dhe shkon atje, ku Drita ka folenë.
Kalldrëmi, portat, harqet, këmbanorja… sapo i shikon, ndien në shpirt ngazëllimin e të qenit në Shtëpinë e Perëndisë. Por në vend të veshjes murgjërore, sytë të shohin… Shkatërrohet imazhi hyjnor, ndaj dhe do ta harrosh atë, që pe. Nxiton drejt Kishës: duke kaluar nëpër oborrin e Manastirit, do të mbyllësh sytë, të mos shohësh!!! Eshtë si një ëndërr shumë e bukur e thyer, e ndërprerë dhe ti dëshiron ta vazhdosh brenda në kishë. Dëgjohen tingujt – balsam të këmbanës, si lajmës për fillimin e Liturgjisë Hyjnore. Rreth altarit – priftërinjtë At Justini, At Ilia, At Rafaili, At Ilia dhe dhiakonët: Athanas, Mihai, Kostandin. Qirinjtë vezullojnë. Kisha mbushet plot me besimtarë “ëndërrthyer”. Shoh sytë e tyre dhe kupton, dëgjon psherëtima…
Sa e çuditshme është, të mos shohësh shenja Jete nëpër manastiret tona e aq më tepër në Ardenicë! Një ortek kridhet në shpirtra, eshtrat e murgjërve – akuzë. Skënderbeu thërret i trishtuar. Sythet e rinj të Jetës, që po lindin, kërkojnë Provën e qetësisë, por jo këmbana pa zë.
Himni i mrekullueshëm, që troket në zemrat e të gjithëve shkund mërzitjen munduese prej shpirtrave…
“Nusërore e Shenjtë e fjalës, hde e mosprishjes.”
ndërsa temjani përhap një vel të dlirë, largon çdo thyerje…
“Gëzohu drur’ i jetës, burim i pavdekësisë, Gëzohu nuse e panusëruar”.
harron botën dhe ndodhesh midis. Midis ëndrrës dhe hyjnores, midis ikonave që sheh dhe një mirazhi, midis flakës së qirinjve dhe shkëlqimit të fytyrës së një ëngjëlli. Kjo gjendje midis, kjo përqasje vazhdon. Në sfond – tingujt e himnit. Menjëherë rritet dëshira e shpirtit për të fluturuar… Për atje ku ndodhet Ajo, “Limani i Shpëtimit”, Ajo që është “më e ndritshme se qiejt, më e pastër se drita”. Zemrat këndojnë, gjithçka rrezaton ngazëllim, sepse është dita, kur një Trëndafil i fshehur në gji të Jetës, ndriçoi botën; është dita, kur lindi Kurora e agimeve; është dita kur Kristali i Gjithëkulluar i buzëqeshi Shpresës për Jetën e Përjetshme. Eshtë dita kur nisi zbulimi i Misterit të Madh, Përmbushja e Premtimit. Lindi e Tërëshenjta Mari, më e ëmbla, më e hijshmja Vajzë, Nëna e njerëzimit, Mbretëresha Qiellore.
Predikimi i At Justinit solli si të gjallë pranë besimtarëve kohën e kësaj Lindjeje, gjithashtu ai theksoi nevojën e rikthimit të kësaj qendre të rëndësishme për jetën shpirtërore të Orthodhoksisë. Dhe vërtet, në festën e Lindjes së Shën Marisë orthodhoksët duhej të festonin edhe rilindjen e Manastirit të lashtë. Megjithatë, besimi tek Perëndia na i mban lart zemrat.
Liturgjia Hyjnore mbaroi. Ajri u mbush me urimet, që burojnë nga shpirti i çdo besimtari. Ndihet ngazëllimi prej takimit me Perëndinë, ndihet shpresa në sytë e tyre. Bukuria e kësaj dite, ka ende për të treguar. Një nuse dhe një dhëndër – fjalësë e lumturisë, do të kurorëzohen, do të marrin bekimin e Zotit dhe të Shën Marisë. Donika dhe Skënderbeu. Stërniprit e tyre, po bëjnë, që koha t’i rikthehet shtatit të saj, madje në ditën më të bukur për Ardenicën.
E pashë Atë Lule tek i hapi petalet e Saj, dhe më dhuroi shumë më tepër se një mrekulli, shumë më tepër se një pranverë: tinguj Jete, tinguj Shprese.
U largova me zemër të ankoruar aty, ku Ajo qëndronte me Birin në krahë dhe shihja njerëzimin tek mbështeste kokën në Petkun e Dashurisë së Saj.
Kfrosma Noti