Veprimtari për Pashkët
Kjo ishte thirrja që bashkoi adoleshentët dhe fëmijët në mjediset e Kishës së Ungjillëzimit, në Tiranë. Ata, të ndarë sipas grupmoshave, patën kënaqësinë që të merrnin pjesë në një sërë veprimtarish argëtuese dhe shpirtërore nga ora 10:15 deri në orën 12:00, çdo të shtunë, në periudhën para Pashkëve. Në këto dy programe të reja adoleshentët dhe fëmijët u përfshinë në lutje, këngë, meditime, mësime, lojëra, punëdore etj.
Të gjithë së bashku e nisnin ditën e shtunë me një lutje të shkurtër, drejtuar Perëndisë, që të bekonte kohën që do të ishin së bashku. Meqenëse Pashka po afron dhe ata u vunë në një udhëtim, që e kishte destinacionin tek Ngjallja e Zotit. Për këtë ishte si temë meditimi se, çfarë pajisjesh na duhen në këtë udhëtim, për të shkuar drejt këtij destinacioni. Pas meditimit, fëmijët këndojnë së bashku këngë të ndryshme, por duke u përqendruar tek ato të Pashkës.
Pas kësaj, pjesëmarrësit ndaheshin në grupe dhe zhvillonin orën e mësimit, që përfshinte brenda saj aktivitete të ndryshme. Pas mësimit, të gjithë dilnin jashtë, sepse ishte koha e planifikuar për të bërë së bashku lojëra të ndryshme. Adoleshentët dhe fëmijët të qeshur dhe të gëzuar e shprehin qartë gëzimin e të qënurit tok, ashtu si psalmisti thotë: “S’ka gjë më të bukur e më të këndshme se sa të banojnë vëllezërit bashkë”. (Psal 132). Në të shtunat në vazhdim ata u përfshinë edhe në veprimtari të tjera, pas mesditës, si grupi i dramës së Pashkës, grupi i korit dhe grupi i atyre që pikturojnë.
Veprimtaria u dallua për lojërat e larmishme dhe aktivitetet shpirtërore. Ajo ishte organizuar me mjaft kujdes e fantazi, gjë që solli pjesëmarrje të shumtë dhe aktive të fëmijëve.
Për gjithë çka arrijmë të bëjmë për të këta fëmijë falënderojmë veçanërisht Kryepiskopin Anastas, i cili i ka bekuar, mbështetur dhe financuar veprimtaritë me ta, pasi nuk punohet vetëm për të sotmen, por me njerëz që nesër do të jenë e ardhmja e Kishës dhe e vendit.
Ana Kërçuku