EmailFacebookKontakt

“Të rreshtin përdhosjet dhe të na kthehet kisha”

Ne, klerikët e Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës, që mbulojmë rrethet Gjirokastër, Përmet, Tepelenë, Delvinë, Sarandë dhe zonën e Himarës, u mblodhëm nga data 4 deri 6 shtator 2000 në selinë e Mitropolisë së Shenjtë Gjirokastër, në Mbledhjen e Dytë të Përgjithshme Hieratike të rradhës me temë: “Kleriku Orthodhoks dhe problemet aktuale të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”.

Midis njoftimeve të ndryshme që dëgjuam, ishte dhe ai që bënte fjalë për sulmin e fundit ndaj kishës së vjetër të Tërëshenjtës në qytetin e Përmetit prej armiqve të besimit, të cilët pasi hoqën ikonat prej mureve, i vërvitën në lulishte dhe në rrugët përreth. Po këtë ditë sulmuan edhe vetë priftin Vasil Thomollari me sharje, që nuk mund të përmenden dhe kërcënime.

Meqenëse ky problem, në vend që të marrë fund, po intesifikohet gjithnjë e më tepër qysh atëherë që lindi – para tre vjetësh – edhe pse drejtësia është shprehur në favor të kishës dhe ka lëshuar vendim për dorëzimin e këtij ambienti në shërbim të kultit orthodhoks.

Meqenëse ne priftërinjtë jemi udhëheqës shpirtërorë të popullit orthodhoks dhe banorë legjitimë të këtij vendi, që me votën tonë zgjedhim drejtuesit e politikës, që jemi të ngarkuar edhe me të drejtën për të ngushëlluar popullin e Perëndisë, duke u interesuar për rikthimin e të gjthë ambienteve të adhurimit dhe kryesisht për rehabilitimin e të drejtave fetare në zonën tonë me mjete paqësore.

I bëjmë thirrje dhe kërkojmë prej Fortlumturisë, Atit tonë Kryepiskopit Anastas dhe Kryetar të Sinodit të Shenjtë, të ndërhyjnë me çdo mënyrë e mjet të jashtëm, të ndjeshëm ndaj të drejtave fetare:

a) Të rehabilitohet më në fund edhe në qytetin e Përmetit liria fetare.

b) T’i dorëzohet Kisha e vjetër e të Tërëshenjtës jetës adhurimtare të Orthodhoksëve.

c) Të rreshtin përdhosjet e këtij vendi të shenjtë prej spektakleve të çdo natyre, të cilat janë të huaja për besimin dhe kultin orthodhoks të popullit të Përmetit dhe të marrë fund martirizimi i përditshëm i kolegut tonë, priftit Vasil Thomollari, i cili është fyer keqas madje edhe prej autoriteteve policore lokale.

Gjirokastër, e mërkurë, 6 shtator 2000

Klerikët e Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës
(vijojnë nënshkrimet)