Nga data 18 deri në 25 qershor u mbajt në Konstandinopojë (Stamboll), në kuadrin e kremtimeve të Jubileut të dymijëvjetorit të Lindjes së Krishtit, një konferencë e rinisë orthodhokse nga e gjithë bota. Qyteti i Konstandinit të madh priti më shumë se pesëqind të rinj nga të gjitha Kishat Orthodhokse dhe të ftuar nga Kishat e tjera, si Katolike, Armene, Protestante etj. Tema e konferencës ishte: “Të rinjtë në mijëvjeçarin e tretë”.
Veprimtaria u hap të Dielën e Pesëdhjetores (Pentikostisë), me fjalimin përshëndetës të Patrikut Ekumenik Vartholomeut.
Pastaj u fillua me temën e parë, që kishte të bënte me thirrjen për t’iu kushtuar Perëndisë, që u mbajt nga Kryedhiakoni i Patrikanës, At Elpidofori. Më pas vijuan diskutime të shumta. E njëjta procedurë ndiqej me gjithë temat; në fillim kumtesë nga folësi e më pas pyetje ose komente nga të rinjtë.
Temat që u mbajtën qenë të një larmie të madhe. U diskutua për papunësinë, për SIDA-n, drogën, për marrëdhëniet ndërmjet dy sekseve, për luftën e paqen, për përkthimin e teksteve liturgjike, etj. Të rinjtë treguan shumë interes dhe shtruan shqetësimet dhe problemet e tyre, në një klimë shumë të sinqetë e miqësore.
Tema që solli më shumë diskutime dhe kundërshtime ishte ajo mbi përkthimin e teksteve liturgjike nga gjuhët e vendeve të origjinës të të rinjve të diasporës, në gjuhët e vendeve ku jetonin tani. Të rinjtë nga Amerika dhe nga Evropa Perëndimore shprehën kundërshtimin në pjesën më të madhe të tyre, për vazhdimin e përdorimit të gjuhëve tradicionale, si gjuhë liturgjike dhe këmbëngulën në përdorimin e gjuhëve që ata flasin etj.
Por, konferenca nuk kishte vetëm kumtesa e diskutime, por edhe vizita të ndryshme. Mbresëlënëse ishte ajo që u bë në qytetin e Nikesë (Iznik), ku u mbajt Sinodi i parë dhe i shtatë Ekumenik. Rrënojat e Pallatit mbretëror të Konstandinit të Madh, ku u mbajt Sinodi i parë, gjendeshin nën ujrat e një liqeni dhe preheshin atje, duke mbajtur shumë histori dhe bekim brenda tyre. Atje vizituam edhe Kishën e Sofisë (Urtësia e Perëndisë), ku në 25 dhjetor, ditën e Krishtlindjeve, do të bashkëmeshojnë të parët e Kishave Orthodhokse Autoqefale.
Vizita tjetër, qe në vetë qytetin mikpritës. Në fillim në Xhaminë Blu e pastaj tek mburrja e Orthodhoksisë e Bizantit, tek Katedralja e Shën Sofisë. Pastaj vizituam Portën e Lartë (Topkapi) ku pamë pallatin e Sulltanit dhe muzeun.
Vizita e fundit qe në ishullin e Halkit, vend ku strehohet Shkolla Teologjike e Patrikanës Ekumenike, e mbyllur nga qeveria turke në vitin 1971. Bëhen sot përpjekje të shumta për rihapjen e saj. Atje ka studjuar edhe Kryepiskopi i parë kanonik i Kishës sonë, imzot Kisi.
Ditën e fundit, të rinjtë dolën me një mesazh të përbashkët, si dhe shprehën dëshirën që kjo të quhet Konferenca e parë mbarëbotërore e rinisë orthodhokse dhe që të tjera si kjo të vijojnë në të ardhmen.
Surpriza e fundit qe darka me Patrikun Ekumenik, ku të rinjtë orthodhoksë të Stambollit paraqitën një program të larmishëm me këngë e valle, për të na përshëndetur.
Joan Lena