EmailFacebookKontakt

Të rinj orthodhoksë të pranishëm në kremtime të ndryshme fetare

Nga data 23-25 nëntor, një grup të rinjsh orthodhoksë nga Shqipëria shkoi në Kosovë për të marrë pjesë në festën e manastirit të Shën Stefanit, në Deçan. Ishte një përvojë e veçantë për të gjithë ne që shkuam atje. Patëm mundësinë të nderonim dhe t’i luteshim lipsanit të Shën Stefanit dhe të merrnim pjesë në lutje me shumë besimtarë të tjerë, që kishin ardhur nga vende të ndryshme.

Thirrjet e besimtarëve që njëzëri thonin “Mëshiro, o Zot!”, të kujtonin se të gjithë ne duhet t’i kërkojmë vazhdimisht dhe me ngulm Perëndisë të ketë mëshirë për ne.

Patëm mundësinë të vizitonim edhe disa familje kosovare, gjithashtu festuam bashkë me ta festën e Bajramit, pasi ndodheshim atje ato ditë.

Miqësia me ta ka nisur gjatë kohës që ata ishin në Shqipëri. Nuk është hera e parë që na presin me shumë dashuri dhe respekt. Mikpritja e tyre vazhdimisht na kujton bujarinë e shqiptarit. Tani kjo është bërë një traditë dhe ne e presim me shumë gëzim këtë kohë, prandaj falënderojmë të gjithë ata që na japin bekimin të shkojmë atje dhe gjithashtu, të gjithë ata që na japin bekimin të marrim pjesë në gëzimin e tyre.

G. Bezhani, A. Kuçuku