EmailFacebookKontakt

Të promovojmë vlerat e krishtera për t’i shërbyer së bashku shoqërisë

Në këtë periudhë, kur familja si bazë e shoqërisë vendoset përballë sfidave të panumërta dhe duke parë problematikat që ajo has edhe ne shoqërinë tonë, përfaqësues të komuniteteve të krishtera, në bashkëpunim me organizatën “World Vision” u bënë bashkë për të qenë në një zë përballë këtyre problematikave, por edhe për të hedhur ide për përmirësimin e situatës.

Konferenca e përbashkët u zhvillua të shtunën, 18 maj 2024, në ambientet e Hotel “Mondial” në Tiranë. Aktiviteti kishte si temë: “Festojmë familjen” dhe ishte organizuar nga Radio “Ngjallja” e Kishës tonë dhe “World vision Albania”, në bashkëpunim me Kishën Katolike dhe Vëllazërinë Ungjillore. (Ky takim është rezultat i bashkëpunimit prej vitesh për këtë temë, ndërmjet Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe World Vision).

Duke reflektuar mbi gjendjen e familjes në shoqërinë tonë, që po shfaq kriza dhe probleme të mëdha, del si detyrë e të gjithëve ne të krishterëve të shtrijmë bashkëpunimin dhe së bashku të shpallim qëllimin për mbrojtjen, forcimin dhe ruajtjen e vlerave të familjes. Së bashku si komunitete të krishtera duhet të krijojmë këtë bashkëpunim me ngritjen e një strukture bërthamë, ku urat tona të bashkëpunimit të kthehen edhe në nisma, projekte dhe angazhim të përbashkët për të mbrojtur familjen, promovuar vlerat e krishtera dhe për të shërbyer së bashku në të mirën e shoqërisë shqiptare.

Ky aktivitet u zhvillua me bekimin e Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas dhe u përshëndet nga krerët e lartë të komuniteteve të krishtera, të cilët vlerësuan dhe përgëzuan organizimin e këtij aktiviteti: nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë përshëndeti Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani; nga Kisha Katolike Kryeipeshkvi i Tiranë – Durrës, Imzot Arjan Dodaj, dhe nga Vëllazëria Ungjillore, Presidenti i saj, Ergest Biti.

Gjatë takimit u mbajtën edhe tema nga të ftuarit, përfaqësues nga të tri komunitetet: nga Kisha Katolike motër Rita Deda; nga Kisha Ungjillore z. Sevin Serjani; nga Kisha Orthodhokse, atë Grigor Pelushi. Veprimtarinë e përshëndeti edhe Episkopi i Bylisit, Asti dhe z. Alesio Sema, Sekretar i Përgjithshëm i Vëllazërisë Ungjillore. Ky aktivitet u moderua nga znj. Valbona Duri, koordinatore e përfshirë në këtë projekt.

Aktiviteti nisi me shfaqjen e dokumentarit “Festojmë Familjen”, opinione dhe përjetime personale te prindërimit, nga anëtare te Kishës sonë, të trajnuar dhe nga “World Vision”, me këtë program qe ka ne qendër familjen dhe është i bazuar në katër koncepte: krijimi i hapësirës për dashuri dhe hir, gjetja e farave të mirësisë, mundësitë për falje dhe arsyet për falënderim. Ky program i drejton familjet në një udhëtim drejt plotësisë së jetës, duke u përqendruar te katër pjesët e udhëtimit: trajtimi i së shkuarës, njohja e së tashmes, shikimi drejt së ardhmes dhe ndjekja e ëndrrave tona. Dhe si duhet ta shohim ne familjen sipas dëshirave dhe ëndrrave tona. Kisha Orthodhokse mëson se një familje e shëndetshme ndërtohet mbi shenjtërinë e martesës.

Olimbia Pelushi