Delegacionit tonë iu rezervua një pritje e denjë për një përfaqësi të një kishe orthodhokse motër. Në ditën e parë të vizitës, në aeroportin e Varshavës, kishin dalë për të na pritur vetë Imzot Sava së bashku me klerikë të tjerë të lartë. Ceremonia e mirëseardhjes u bë në Kishën katedrale metropolitane të Shën Maria Magdalenës, në Varshavë, ku Primati Sava i uroi mirëseardhjen Kryepiskopit Anastas dhe pjesëtarëve të tjerë të delegacionit. Pas shërbesës, delegacioni u prit në rezidencën mitropolitane në Varshavë. Aty Kryepiskopi Anastas mbajti një fjalim të shkurtër, ku ndër të tjera falënderoi për pritjen e ngrohtë, si dhe bëri një përshkrim të situatës fetare në Shqipëri. Fortlumturia e Tij foli për marrëdhëniet ndërfetare në Shqipëri dhe u ndal veçanërisht tek persekutimi i madh që iu bë fesë në përgjithësi dhe Kishës Orthodhokse në veçanti gjatë kohës së komunizmit, si dhe tek përpjekjet e bëra për ringjalljen e besimit në vendin tonë dhe rindërtimin nga themelet të kishës shqiptare. Fjalimi i tij u prit me një interesim të veçantë nga të gjithë të pranishmit.
Imzot Sava foli për një persekutim të ngjashëm të Kishës Orthodhokse në Poloni, që kishte synuar ta zhdukte atë tërësisht, por pa sukses. Ajo sot numëron një komunitet prej mbi 500 mijë besimtarësh, të cilët marrin pjesë aktive në jetën e gjallë të kishës.
Në pritjen e delegacionit tonë, mori pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Varshavë, z. Sokol Gjoka, i cili gjithashtu vlerësoi rolin e madh pozitiv që ka luajtur Kryepiskopi Anastas në ringritjen e Kishës dhe besimit në Shqipëri.
Ditën e shtunë në mëngjes, delegacioni ynë vizitoi Seminarin Teologjik-hieratik të Varshavës, i cili përgatiste klerikët e ardhshëm. Në fjalimin e Tij me studentët, Kryepiskopi Anastas theksoi rolin e madh që ka kleri në predikimin e Ungjillit dhe rolin apostolik të Kishës për të vajtur në të gjitha kombet për të predikuar atë. Studentët e seminarit bënë pyetje të ndryshme, të cilave Kryepiskopi iu përgjigj me një qartësi të thellë teologjike, me plot dashuri dhe me përkujdes baritor.
Në të gjitha fjalët që mbajti Kryepiskopi Anastas, vuri theksin në disa pika shumë të rëndësishme: Së pari, uniteti i Kishës Orthodhokse, si një Kishë e Shenjtë e Përgjithshme dhe Apostolike. Gjithashtu, ai u ndal dhe në apostullimin dhe misionarizmin, sipas fjalës së Zotit: “Shkoni në të gjitha kombet dhe predikoni Ungjillin…”. Kryepiskopi u ndal edhe tek roli shenjtërues i Kishës, Kisha si faktor paqeje, stabiliteti dhe prosperiteti në shoqërinë njerëzore etj.
Ndërsa në predikimet e Tij Fortlumturia e Tij Sava, ngriti lart figurën e Kryepiskopit Anastas. “Ky njeri – tha ai, – i cili jo rastësisht mban emrin Ngjallje, si një shërbëtor i përmbur i Krishtit ka arritur me përpjekje të mëdha gjatë 10 vjetëve të fundit të ringjallë Kishën e Shqipërisë, atë kishë, të cilën të gjithë e konsideruan për dekada të tëra të vdekur, të humbur përfundimisht. Por Zoti ynë Jisu Krisht, i cili pas kryqit dhe vdekjes zbriti në errësirat e Hadhit, ku u predikoi të vdekurve dhe ditën e tretë u ngjall dhe ngriti me vete të tërë ata që i besuan fjalës së Tij, e ngjalli edhe Kishën e Shqipërisë, duke e urryer errësirën e madhe të ateizmit.”
Meshimi i parë me pjesëmarrjen e primatëve dhe klerikëve të të dy kishave u krye në qytetin Hainovka, e cila u kthye në një festë të vërtetë. Kryepiskopi Anastas me këtë rast theksoi se, Kisha Orthodhokse nuk është një kishë e përbërë nga disa komunitete të vogla të parëndësishme besimtarësh, por një Kishë e Shenjtë e Përgjithshme dhe Apostolike. Kjo, pavarësisht nga shtrirja e saj nëpër botë si: Evropë, Azi, Afrikë, Amerikë etj.
Çast kulmor i vizitës ishte edhe Festivali Kombëtar i Muzikës Korale Kishtare, në Hainovka, i cili ishte i organizuar dhe financuar nga Kisha Orthodhokse e Polonisë, me kontributin e besimtarëve të saj. Në të merrnin pjesë grupe korale edhe nga disa vende të Evropës, si: nga Greqia, Serbia, Ukraina, Rusia, Bjellorusia etj. Të 35 grupet korale këndonin pjesët e tyre më të mira vetëm nga një herë. Të pranishëm në këtë eveniment ishin kleri i lartë, politikanë, drejtues të pushtetit vendor, deputetë, artistë si dhe shumë besimtarë dhe artdashës. Ky aktivitet u pasqyrua gjerësisht në medial polake.
Në kuadrin e këtij festivali, Kryepiskopit Anastas iu dha çmimi “Ecce Homo” (Ja njeriu), për vitin 2003. Vendimi ishte marrë njëzëri disa muaj më parë, ndërsa akordimi u bë në fund të veprimtarisë, në prani të Primatit Sava, episkopëve e personaliteteve të tjera. Ky nderim u akordohet personaliteteve të cilat “me gjithë kushtet e disfavorshme, me aktivitetin e tyre konsekuent, kanë manifestuar dashuri të painteres ndaj njerëzve”. Me këtë çmim janë nderuar deri më sot edhe Papa Gjon Pali II, Dalai Lama XIV, Tadeusz Mazowieski, shkrimtarë të shquar, artistë dhe personalitete të tjera të njohura botërisht.
Takimi me Presidentin e Republikës Aleksandër Kvaznievskin, si dhe me Ministrin e Jashtëm ishte një çast tjetër i rëndësishëm në vizitën e delegacionit tonë. Ata treguan një respekt dhe konsideratë për Kishën Orthodhokse në përgjithësi dhe treguan për përpjekjet që shteti polak kishte bërë dhe bënte për integrimin me të drejta të plota të komunitetit orthodhoks në shoqërinë polake. Kryepiskopi Anastas theksoi se sot, kur popujt e Evropës, për herë të parë në histori me vullnet të lirë duan të bashkohen në një shtet të vetëm, minoritetet shikohen dhe duhet të shikohen si ura lidhje midis popujve. Kryepiskopi foli gjithashtu për marrëdhëniet ndërfetare në Shqipëri, për harmoninë që ekziston midis besimeve, si dhe përpjekjet e mëdha që Kisha jonë ka bërë në çaste konfliktesh, si për shembull në rastin e luftës në Kosovë, kur ajo, megjithëse e varfër, dha një kontribut shumë të madh për kapërcimin e krizës, duke krijuar kampe dhe duke mbajtur me mijëra të ikur nga dhuna, pa dallim feje.
Delegacioni i Kishës Orthodhokse vizitoi gjithashtu ambasadën e Shqipërisë në Varshavë, ku ambasadori bëri një pritje të përzëmërt dhe theksoi se Kisha dhe personaliteti i Kryepiskopit janë “ambasadorë” të shkëlqyer të vendit që përfaqësojnë dhe ndihmojnë jashtëzakonisht për përmirësimin e imazhit të vendit tonë kudo në botë.
I shoqëruar nga Imzot Sava delegacioni ynë bëri një vizitë në qytetin e Lodzit. Atje u prit nga Kryepiskopi i dioqezës së Lodzit Simeon. Në kishën e mrekullueshme të këtij qyteti u bë një dhoksologji dhe Kryepiskopi Anastas u foli të pranishmëve për rëndësinë e jetës shpirtërore dhe për ecurinë e Kishës Orthodhokse në Shqipëri.
Ditën e mërkurë në mëngjes, 21 maj, u nisëm nga Varshava për në Manastirin e Grabarkës, ku jetojnë një komunitet murgeshash. Grabarka, që nga mesjeta e hershme ishte një vend lutje dhe pelegrinazhi, por famën ai e merr në vitin 1710, kur një epidemi shkaktoi vdekjen në masë të mijëra njerëzve. Një banor i asaj zone pa një vegim nga Perëndia, ku këshillohet që të shkojë të strehohet aty, të pijë nga uji i burimit dhe të shërohet. Fjalët e këtij besimtari dhe shembullin e tij e ndoqën mijëra njerëz, të cilët shkuan në kodrën e Grabarkës dhe shpëtuan nga vdekja e sigurt. Kisha që ndërtuan besimtarët në majën e saj kremton festën e Metamorfozës. Aty shkonin me mijëra besimtarë orthodhoksë e të tjerë dhe gjenin ngushëllim në zgjidhjen e problemeve të tyre. Tepër e veçantë në këtë Manastir, që mbante emrat e nxënëseve të Jisuit “Marta dhe Maria”, ishin mijëra kryqe të përmasave të ndryshme, të sjella nga besimtarët dhe të “mbjella” në majën e kodrës përqark kishës.
Mbas vizitës në Manastirin e Grabarkës shkuan në qytetin Bialistok, ku banojnë një numër i konsiderueshëm besimtarësh orthodhoksë dhe një nga qendrat e Kishës Orthodhokse në Poloni. Të binin në sy përpjekjet e mëdha të këtij komuniteti, të cilët me fondet e mbledhura prej tyre, ndonëse jo shumë të pasur, kishin arritur të ndërtonin shumë kisha të mrekullueshme dhe një qëndër komplekse në qendër të Bialistokut. Ashtu si në Hainovka, edhe në këtë qytet, Mbrëmësorja e madhe dhe Liturgjia, ku morën pjesë të dy primatët, u kthyen në një festë të madhe me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Besimtarët orthodhoksë të Bialistokut me një gëzim të madh ishin grumbulluar para Kishës Katedrale dhe prisnin të merrnin bekimin nga Kryepiskopi Anastas.
Një histori të mrekullueshme kishte dhe Manastiri i Lavrës së madhe në Suprashill, i ndërtuar në shek. XV nga murgj rusë, me anën e një mrekullie. Manastiri kishte një histori të pasur me ndodhi të vjetra e të reja. Krahas murgjve orthodhoksë ishte një vatër shpirtërore që nxirrte klerikë të denjë për kishën e Polonisë, ndër ta ishte dhe Primati i sotëm i Polonisë, Imzot Sava.
Me këto vizita, iu dha fund qëndrimit në tokën polake që u shoqërua nga përcjellja shumë e ngrohtë, me dashuri më Krishtin, nga ana e Fortlumturisë së Tij Sava, klerikëve të tjerë, si edhe nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Poloni z. Sokol Gjoka.
Dhjakon Ilia Mazniku