EmailFacebookKontakt

“Të përkushtoheni në Kishën e Perëndisë…”

Manastiri i Shën Vlashit, Durrës

“Të përkushtoheni në Kishën e Perëndisë…”

– Nisi viti i ri akademik në Akademinë Teologjike Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit” –

Në datën 6 tetor u hap viti i ri shkollor 2003-2004 në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash të Durrësit.

Në ditën e parë të çeljes së shkollës u mblodh komuniteti i pedagogëve dhe studentëve të Akademisë për të bërë shërbesën e Ajazmës – Bekimit të ujit, e cila kryhet në fillim të çdo viti akademik.

Kjo shërbesë u drejtua nga Episkopi i Filomiliut, Imzot Ilia, i cili këtë vit do të ketë detyrën e Dekanit të kësaj Akademie.

Episkop Ilia ka ardhur sivjet nga Amerika me ftesë të Kryepiskopit Anastas. Ai ka përvojë të gjerë në fushën pedagogjike si drejtues i shkollave kishtare. Imzot Ilia ka qenë edhe drejtori i parë i Shkollës Teologjike të Kishës sonë, e cila u hap në Durrës, në vitin 1992. Për disa vite ai ka shërbyer si Dekan i Fakultetit Teologjik Orthodhoks “Kryqi i nderuar” në Boston të Amerikës. Episkop Ilia e ka origjinën nga Korça dhe ka dhënë kontributin e tij si bari dhe më vonë si kryebari në diasporën orthodhokse shqiptare të Amerikës. Aktualisht ai është edhe anëtar i Konferencës së Episkopëve Kanonikë Orthodhoksë të Shteteve të Bashkuara.

Qëllimi i ardhjes së tij në Shqipëri është për të ndihmuar në forcimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të një prej institucioneve më të rëndësishme të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”.

Me Ujin e Bekuar, Imzot Ilia, bekoi altarin hyjnor, ikonat e shenjta, kishën si dhe të gjithë personelin pedagogjik, administrativ dhe komunitetin studentor të Akademisë.

Në fund të kësaj shërbese Episkop Ilia, në fjalën e tij, iu uroi pedagogëve dhe studentëve të Akademisë një fillim të mbarë të vitit të ri akademik. Ai përcolli tek studentët dhe pedagogët e Akademisë bekimet e Kryepiskopit Anastas, i cili tregon një interes dhe përkujdesje të veçantë për Akademinë, të cilën Episkop Ilia do ta quante si “Shkolla e tij e dashur”.

Më tej Episkop Ilia nënvizoi: “Jemi mbledhur këtu si komunitet, së bashku me pedagogët e studentët për të nisur fillimin e vitit të ri shkollor. Ju i keni vënë vetes një detyrë të shenjtë, të përkushtoheni në Kishën e Perëndisë. Duhet të kujtoni që kjo detyrë nuk përfundon me mbarimin e këtij viti, as me mbarimin e studimeve tuaja në këtë Akademi, por me mbarimin e jetës suaj në tokë, kur ju do gjendeni përballë Perëndisë, në gjykatoren e Tij për të dhënë llogari për veprat tuaja. Detyra juaj është një detyrë e shenjtë, pasi Akademia Teologjike është zemra e Kishës dhe ju jeni forca jetike, gjaku, eshtrat dhe trupi i saj.

Unë kërkoj që nga ky çast bashkëpunimin tuaj, për të çuar përpara veprën që na ka ngarkuar Perëndia” – e mbylli fjalën e tij Imzot Ilia.

Aleks Çuri