EmailFacebookKontakt

“Te Perëndia nuk ka të vdekur, të gjithë janë të gjallë…”

Sot jemi mbledhur për të përkujtuar Kryepiskopin Anastas në 6 – mujorin e ndarjes nga jeta. Kujtimi është diçka shumë i rëndësishëm në Kishën Orthodhokse. Ju e dëgjuat edhe gjatë kungatës që u tha: “Lum ata që zgjodhe dhe i more…”, sepse te Perëndia nuk ka të vdekur, të gjithë janë të gjallë.

Kujtimi është një pjesë e rëndësishme edhe e Theologjisë Orthodhokse, sepse ne besojmë që njerëzit janë një qenie komunitare. Kisha nuk është e përbërë nga individë të veçuar, por një komunitet i cili lutet vazhdimisht. “Edhe kujtimi i tyre do të jetë brez pas brezi”, kënduam sot. Ne i kujtojmë vazhdimisht dhe, gjatë meshës, lexohen disa lutje që thuhen për kujtimin. Aty kujtohen të gjithë ata që kanë ndërruar jetë: vëllezërit, motrat, patriarkët, profetët. Të gjithë i kujtojmë!

Në Kishë ka një lloj kungimi të thellë të njerëzve me njëri-tjetrin. Kur themi që njerëzit janë qenie komunitare, këtë gjë do të thotë: Te Zoti nuk ka të vdekur! Te Potiri i shenjtë i Kungatës, të vdekurit edhe të gjallët janë së bashku. Edhe në jetën tonë ata janë së bashku. Kujtimi nuk është vetëm thjesht diçka emocionale, ose diçka intelektuale; është një kungim i vërtetë dhe i thellë. Kjo e përbën Kishën e Krishtit. Nëse ne nuk do ta ndjejmë thellë këtë gjë, nuk do të jemi thellë në kungim me Zotin dhe me të gjithë të tjerët që përbëjnë Kishën e Krishtit.

Kujtojmë aty Krishtin, dhe kur kujtojmë Krishtin, kujtojmë edhe Perëndinë. Edhe Perëndia, duke ndjerë kujtimin tonë për Krishtin, kujton të gjithë njerëzit që janë. Prandaj kujtimi është kaq shumë i rëndësishëm. Dhe i kujtojmë vazhdimisht në brezat e në breza.

Në Kishë kujtimi ka një kuptim shumë të thellë. Kujtimi para Perëndisë do të thotë që ai person është falur dhe është në praninë e Perëndisë. “Kujtomë, o Zot, në Mbretërinë tënde”,- i thotë kusari përpara se të kryqëzohet. Kujtimi nga Perëndia për ne është shenja e faljes sonë dhe shenja e shpëtimit tonë.

I kujtojmë të gjithë njerëzit, sepse i duam. Edhe familjarët i kujtojmë, se i duam! Por në Kishë kujtohen të gjithë, familjarët e të gjithë të tjerët sa janë. Kujtimi na sjell në kungim me ata dhe na largon dëshpërimin. Pa dyshim ne dëshpërohemi, kur një njeri i dashur largohet nga ne, por siç porosit shën Pavli, nuk dëshpërohemi si ata që nuk kanë shpresë, sepse Besimi i Krishterë beson që Krishti e mundi vdekjen dhe te Zoti nuk ka të vdekur. Nëse do t’i kuptojmë këto fjalë shpirtërisht, jo vetëm thjesht me buzë, atëherë do të ndjejmë vazhdimisht një siguri edhe për veten tonë. Sepse kujtimi i të gjithë atyre që janë larguar prej nesh na ndihmon që të kujtojmë edhe vdekjen. Kujtimi i vdekjes, thonë Etërit e Kishës, është mësuesi më i mirë. Nëse një njeri do të ketë vazhdimisht kujtimin e vdekjes se tij, nuk do të mëkatojë. Njerëzit e harrojnë këtë gjë; dhe harrimi sjell pikërisht mëkatin. Nëse do të kujtojmë vazhdimisht këto gjëra, dhe do të kemi parasysh që një ditë të gjithë do të paraqitemi para Zotit, shumë mëkate që bëjmë, nuk do t’i bënim. Prandaj është i rëndësishëm kujtimi. Edhe më e rëndësishmja është që kujtimi na tregon dimension e thellë të përjetësisë.

E përmend vazhdimisht një rresht që Dostojevski i shkruan një mikut të tij, Mikaevit dhe e i thotë këto fjalë: “Shkatërrojua njerëzve shpresën te përjetësia dhe jeta e tyre do të thahet”. Edhe këto fjalë paraqesin kuptimin e thellë orthodhoks të përjetësisë. Nëse ne nuk do të kemi në zemrat tona dimensionin e përjetësisë, nuk mund të kemi paqe, as siguri. Jeta është e shkurtër, një ditë të gjithë do të largohemi, por te Zoti do të jetojmë gjithmonë.

Edhe vargjet që dëgjuam nga psalët që kënduan aq bukur: “Lum ata që zgjodhe edhe i more…”, një nga këta është edhe kryepiskopi ynë, për të cilin realisht duhet të falënderojmë Perëndinë që u zgjodh edhe u mor, dhe ne besojmë që ai qëndron pranë Perëndisë në tendat e të drejtëve dhe lutet vazhdimisht për ne.

Duke u lutur për njerëzit që duam, krijojmë kungimin me ta. Ne lutemi për ata, ata luten për ne, dhe Kisha bëhet një, si ata që janë lart në qiell dhe ata që janë akoma në këtë tokë. Ky është edhe kuptimi i thellë i përkujtimeve.

Në këtë ditë do të doja të gjithë të lutemi për kryepiskopin tonë të dashur, duke besuar që është në tendat e të drejtëve e duke shpresuar që ai lutet vazhdimisht për ne.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!