Dy miq nga Aleksandria arritën deri në thellësitë e shkretërirës, në kërkim të një njeriu të urtë dhe të lumur. Dhe në fakt, pas shumë kohe, gjetën një asket të shenjtë. Dhe e pyetën:
– Çfarë të bëjmë, at, për të gjetur lumturinë e vërtetë? Shohim se je njeriu më i përshtatshëm që mund të pyesim. Sepse dukesh ME TE VERTETE i qetë dhe i lumtur. Vetëm se ne – pse ta fshehim? – nuk mund të jetojmë si ti…
Atëhere ai njeri i shenjtë, duke ngritur duart e tij drejt qiellit dhe me lot në sy, u tha:
– Vëllezër të mi, nuk është e nevojshme të jetoni pikërisht si unë për të qenë ME TE VERTETE TE LUMTUR. Por çfarë nevojitet?
Të mendoni për Perëndinë, të paktën aq sa mendoni për njerëzit.
Të keni frikë nga Perëndia, të paktën aq sa keni prej njerëzve.
Të nderoni Perëndinë, të paktën ashtu siç nderoni njerëzit.
Të shpresoni te Perëndia, të paktën aq sa shpresoni te njerëzit.
Të zbatoni ligjin e Perëndisë, të paktën aq sa zbatoni ligjin njerëzor.
Të lavdëroni Perëndinë, të paktën aq sa lavdëroni njerëzit.