EmailFacebookKontakt

Të mos ndërhyhet në problemet e brendshme të KOASH

– Mesazh i besimtarëve orthodhoksë korçarë –

1. Presidentit të Republikës Z. Sali Berisha
2. Kryetarit të Kuvendit Popullor Z. Pjetër Arbnori
3. Kryeministrit të Qeverisë Shqiptare Z. Aleksandër Meksi
4. Kryetarit të grupit parlamentar të PD Z. Ali Spahia
5. Kryetarit të grupit parlamentar të PS Z. Namik Dokle
6. Kryetarit të Partisë SD Z. Skënder Gjinushi
7. Deputetit të PR Z. Mehmet Çeliku
8. Kryetarit të grupit parlamentar PBDNJ Z. Thoma Miço
9. Deputetit Arben Imami
10. Kryetarit të Komisionit të Ligjeve të Kuvendit Popullor Z. Zef Brozi
11. Komisionit parlamentar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
12. Forumit të të drejtave të njeriut.

Ne besimtarët orthodhoksë shqiptarë dhe arumunë të Korçës si dhe Shoqata Fan Noli jemi thellësisht të shqetësuar për fushatën e sulmeve që vazhdojnë të ndërmerren ndaj Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe komunitetit fetar orthodhoks në Shqipëri. Pjesë e kësaj fushate janë edhe mesazhet e kohëve të fundit të At Artur Liolinit botuar në organet e shtypit tonë dhe transmetuar edhe me mjete të tjera të informacionit. Ne shqetësohemi me të drejtë sepse në këtë rast, ashtu si edhe herët e tjera shohim sulme të hapura kundër kishës sonë Orthodhokse Autoqefale e cila doli e shkatërruar plotësisht nga regjimi komunist. Ne shqetësohemi se këto mesazhe të përsëritura herë pas here kërkojnë të lenë pa kokë KOASH-in, kur dihet se nuk ekziston asnjë episkop shqiptar që të mund ta drejtojë atë; ta lenë pa përkrahje dhe ndihmë nga bota e Krishterë.

Këto deklarata përçajnë komunitetin fetar orthodhoks në Shqipëri i cili përbëhet nga shqiptarë, arumunë, grekë, maqedonas e malazezë, sepse mohojnë të drejtën e tyre për të nxjerrë klerikë dhe drejtues të Kishës, mbjellin armiqësi mes tyre dhe përçarje kombëtare.

Janë tendencioze dhe ndjellakeqe mesazhe të tilla nga kushdo qoftë, të cilat në një kohë kur Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare ka nevojë për ringjallje e lulëzim ndjellin prapambetjen e saj dhe pse jo edhe shuarjen e besimit orthodhoks.

Ne kërkojmë nga Parlamenti shqiptar, si Parlament i një shteti demokratik, të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Kishës sonë Autoqefale Orthodhokse. Ne i sugjerojmë atij se në rastin tonë duhet të merren parasysh vështirësitë aktuale që kalon KOASH-i. Nëse Parlamenti do të marrë një vendim që bie ndesh me interesat e ndjenjat e besimtarëve tanë, neve s’na mbetet tjetër vetëm të shpallim mbylljen e kishave duke i cilësuar ato të përndjekura nga Parlamenti e Qevena, veprim ky i cili do të qe me pasoja të rënda si kombëtare ashtu dhe ndërkombëtare.

Nga besimtarët orthodhoksë të Korçës