EmailFacebookKontakt

Të mësojmë lutjet tona – Psalmi XXXII

Të mësojmë lutjet tona

Psalmi XXXII

Psalm i Davidit, pa titull në tekstin hebraisht

Në Zotin ngazëllohuni, o të drejtë; lavdërimi u ka hije njerëzve të drejtë.

Lavdëroni Zotin me kitarë; psalini Atij me psaltir me dhjetë tela.

Këndojini Atij këngë të re, psalini Atij siç duhet me brohori.

Se fjala e Zotit është e drejtë dhe gjithë veprat e Tij janë bërë me besë.

Zoti do lëmoshë e drejtësi dhe paanësi; toka është plot me mëshirën e Zotit.

Qiejt u bënë me fjalën e Zotit, dhe gjithë ushtria e tyre me frymën e gojës së Tij.

Mblodhi ujërat e detit si në një kacek; humnerat në sternë i futi.

Gjithë toka le ta ketë frikë Zotin; le të dridhen prej Tij gjithë banorët e botës.

Se ai tha, dhe u bënë; ai urdhëroi, dhe u ndërtuan.

Zoti shpërndan dëshira kombesh, mendime popujsh, asgjëson.

Dhe dëshira e Zotit qëndron përjetë, mendimet e zemrës së Tij brez pas brezi.

Lum kombi, Perëndia i të cilit është Zoti; populli që Ai zgjodhi për trashëgimin e vet.

Zoti vështroi nga qielli; gjithë bijtë e njerëzve i shikoi.

Nga vendi madhështor ku banon, vëzhgoi gjithë banorët e tokës.

Ai që vetë krijoi zemrat e tyre, Ai që i njeh të gjitha veprat e tyre.

Mbreti nuk shpëton nga madhësia e fuqisë; dhe gjigandi nuk shpëton nga forca e vet e madhe.

I kotë është kali për shpëtim; se asnjë s’do të shpëtojë me fuqinë e tij të shumtë.

Ja, sytë e Zotit janë mbi ata që ia kanë frikën, mbi ata që shpresojnë në mëshirën e Tij,

Që shpirtrat e tyre t’i shpëtojë nga vdekja, dhe t’i ushqejë ata në kohë urie.

Shpirti ynë pret Zotin; ai është ndihmësi dhe mbrojtësi ynë.

Se me të do të gëzohet zemra jonë, dhe se shpresuam në emrin e shenjtërisë së Tij.

U bëftë, o Zot, përdëllimi yt, mbi ne, sikurse shpresuam tek Ti.