Disa rregulla bazë për hyrjen e fëmijës në lutje janë:
– Para së gjithash, të mos imponohet lutja tek fëmija si dënim.
– Lutja të jetë e shkurtër dhe e bukur. Mos gjeni gjithmonë lutje fëminore. Përdorni lutje të bukura të traditës nga Himnet dhe Shërbesat e Kishës.
– Rrethoni orën e lutjes me qetësi.
– Lutja të thuhet me ton liturgjikal, domethënë, ngadalë dhe me madhështi.
– Mos buzëqeshni për mënyrën dhe përmbajtjen e lutjes së fëmijës tuaj.
Të mësojmë lutjet tona
Psalmi XXX
Psalm Davidit
O Zot, tek ti shpresova, në jetë të jetës mos u turpërofsha; shpëtomë me drejtësinë tënde dhe të ardhtë keq për mua.
Përkule veshin tënd tek unë; nxito të më shpëtosh; Perëndi, mbrojtës bëhu për mua dhe shtëpi strehimi, për shpëtimin tim.
Se ti je mbrojtja ime dhe streha ime dhe për emrin Tënd do të më udhëheqësh e do të më mbrosh.
Do të më nxjerrësh nga ky kurth, që fshehtas ma ngritën, se ti je mbrojtësi im, o Zot.
Shpirtin tim e jap në duart e Tua; ti më shpërbleve, o Zot, Perëndi i së vërtetës.
I urrej ata, që u besojnë gënjeshtrave të kota; dhe unë tek Zoti shpresova.
Do të ngazëllohem dhe do të dëfrej për përdëllimin Tënd; se përulësinë time e shikove, shpirtin tim shpëtove nga shtrëngimet.
Nuk më dhe në dorë të armiqve; në vend të gjerë këmbët m’i mbështete.
Përdëllemë, o Zot, se jam në shtrëngim; syri im, shpirti im, barku im, u tretën nga zemërimi.
Se jeta ime u fik nga dhimbja, dhe vitet e mi nga rënkimet; nga varfëria fuqia m’u dobësua, dhe eshtrat e mi u shkundën.
Para gjithë armiqve të mi për turp u bëra, dhe më shumë para fqinjëve të mi; dhe frikë për të njohurit e mi; ata që, jashtë më panë, nga unë u larguan.
Nga zemra u harrova si i vdekur, si enë e thyer u bëra.
Se dëgjova shpifje nga shumë vetë, që banojnë përreth meje.
Ata u mblodhën bashkë kundër meje dhe kurdisën shpirtin të ma marrin.
Dhe unë shpresova tek ti, o Zot; thashë: Ti je Perëndia im.
Fatet e mia janë në duart e Tua, çliromë nga dora e armiqve të mi dhe nga ata, që më përndjekin.
Bëje fytyrën Tënde të ndrisë mbi shërbëtorin tënd; shpëtomë me përdëllimin tënd.
O Zot, mos më turpëro, se ty të thirra; të pabesët u turpërofshin, dhe në Hadh shkofshin.
U mbyllshin buzët gënjeshtare, që paligjësi flasin kundër të drejtit me mendjemadhësi, që prish gjithçka.
Sa e madhe dhe e shumtë është mirësia jote, o Zot, që ruan për ata, që ta kanë frikën, e për të cilat dhe provë para bijve të njerëzve, që në ty shpresojnë.
Do t’i fshehësh ata në hijen e fytyrës Tënde, prej kurtheve të njerëzve, do t’i mbrosh ata në tendë, nga sulmet e gjuhëve.
I bekuar qoftë Zoti, se e bëri të mrekullueshëm përdëllimin e Tij, si në një qytet të mbrojtur.
Dhe unë, në habinë time, thashë: Prej syve të Tu u dëbova, por ti e dëgjove zërin e lutjes sime, kur Ty të thirra.
Duajeni Zotin, të gjithë ju shenjtët e Tij. Zoti e mbron të vërtetën dhe me të tepërt i shpaguan ata, që janë kryelartë.
Bëhuni burra, dhe zemra juaj u forcoftë, të gjithë ju, që shpresoni tek Zoti.