Psalmi VIII
Për tirët; Psalm i Davidit.
O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në gjithë tokën. Se madhështia jote u ngrit përmbi qiejt.
Se nga goja e fëmijëve dhe e foshnjeve lavdi do të të thuret, për shkak të armiqve të tu, që të zhdukësh kundërshtarin dhe hakmarrësin.
Kur qiejt do të vështroj, vepër e gishtave të tu, hënën dhe yjet që ti i vendose,
Ç’ është njeriu që ta kujtosh? Apo biri i njeriut që ta kesh nën kujdes?
Por ti e bëre atë pak më të ulët se engjëjt, me lavdi e nder e kurorëzove dhe mbi veprat e duarve të tua e vendose atë.
Çdo gjë nën këmbët e tij e nënshtrove, gjithë dhentë e qetë, si edhe kafshët e fushës;
Zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, që udhët e deteve përshkojnë.
O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në gjithë tokën.
Lavdi Atit… Tani… Aliluia.