Psalm i Davidit, që ai i psali Zotit, për shkak të fjalëve të Hushiut, birit të Jemeniut
O Zot, Perëndia im, në ty shpresova; shpëtomë nga gjithë ata që më përndjekin, dhe çliromë;
se mos e rrëmbejnë ndonjëherë si luan shpirtin tim, dhe s’do të kem asnjë që të më çlirojë as të më shpëtojë.
O Zot, Perëndia im, nëse këtë e bëra, nëse ka paudhësi në duart e mia, nëse shpagova me të keqe ata që më bënë mirë, do të dëbohem duarbosh nga armiqtë e mi.
Dhe armiku e përndjektë shpirtin tim dhe e arriftë, dhe për tokë e shkeltë jetën time dhe lavdia ime nëpër pluhur rëntë.
Ngrihu, o Zot, në zemërimin tënd, lartësohu kundër tërbimeve të armiqve të tu.
Ngrihu, o Zot, o Perëndia im, sipas urdhërit që dhe turma e popujve do të të rrethojë, por ti kthehu mbi të në vendin tënd të lartë.
Zoti do t’i gjykojë popujt; gjykomë, o Zot, sipas drejtësisë sime dhe sipas dëlirësisë sime.
Shterroftë tani ligësia e mëkatarëve dhe udhëhiqtë drejtin; se Perëndi i drejtë je, që heton zemra dhe veshka.
Ndihma ime vjen nga Perëndia, që zemërdrejtët i shpëton.
Perëndia është gjykatës i drejtë dhe i fortë dhe zemërgjerë, dhe që nuk zemërohet përditë.
Po të mos ktheheni, shpatën e vet do ta mprehë; harkun e tij do ta tendosë dhe gati po e mban;
dhe kundër tij mjete vdekjeje përgatiti, shigjetat e veta të zjarrta i bëri gati.
Ja, me dhimbje tek lindi padrejtësi. Dhimbje ndjeu dhe lindi paudhësi.
Gropë hapi dhe të thellë e bëri, por në gropën që bëri vetë do të bjerë.