EmailFacebookKontakt

Të mësojmë lutjet tona: Psalmi 44

Për ata që do të ndryshojnë. Këshillë
për bijtë e Koreut. Ode për të dashurin.
Nga zemra ime buroi fjalë e mirë, unë mbretit ia them
veprat e mia; gjuha ime do të jetë si pendë shkruesi të shpejtë.
Ti je më i bukur se të gjithë bijtë e njerëzve; hiri u derdh
mbi buzët e tua, prandaj Perëndia të ka bekuar për jetë.
Ngjishe shpatën mbi kofshë, o i fuqishëm; me bukurinë
tënde dhe me hijeshinë tënde.
Dhe forcohu e përpara shko dhe mbretëro për të vërtetën
dhe butësinë dhe drejtësinë dhe e djathta jote mrekullisht do
të të udhëheqë.
Shigjetat e tua janë të mprehta; popujt nën ty do të
bien, ato do të hyjnë në zemër të armiqve të mbretit.
Froni yt, o Perëndi, është në jetë të jetëve; skeptër
drejtësie është skeptri i mbretërisë tënde.
Deshe drejtësinë dhe urrejte padrejtësinë; prandaj o
Perëndi, Perëndia yt me vaj ngazëllimi të leu më shumë se
pjesëmarrësit e tu.
Erë smirnë, aloe dhe kasie kundërmojnë veshjet e tua,
që sapo janë nxjerrë nga arka të fildishta dhe të argëtuan.
Bija mbretërish rrinë për nderimin tënd, në të djathtën
tënde mbretëresha qëndroi me veshje të artë e mbuluar, e
stolisur.
Dëgjo, o bijë, dhe shiko, dhe veshin vër; popullin tënd
harro dhe shtëpinë e atit tënd.
Dhe mbreti do të dojë hijeshinë tënde, se ai është yt
zot, dhe do të përkulesh para tij; dhe bijë e Tirit, me dhurata
do të vijë.
Të pasurit e popullit do të kërkojnë ndërhyrjen tënde.
Gjithë lavdia e bijës së mbretit është brenda, veshur e
stolisur e gjitha me ar.
Do t’i sillen mbretit vajza që do ta shoqërojnë atë; ato
pranë saj ty do të të paraqiten.
Do të të paraqiten me dëfrim e ngazëllim, do të hyjnë
në pallat të mbretit.
Bijtë e tu do të marrin vendin e etërve të tu; ti të parë
do t’i caktosh nëpër gjithë dhenë.
Do ta kujtoj emrin tënd brez pas brezi; prandaj do të të
lavdërojnë popujt për jetë dhe në jetë të jetëve.