EmailFacebookKontakt

Të mësojmë lutjet tona – Psalmi 39

Të mësojmë lutjet tona

Psalmi 39
Psalm i Davidit

Me durim e prita Zotin dhe më vuri re dhe lutjen time e dëgjoi.

Dhe jashtë më nxori nga gropa e mundimit, dhe nga bataku i përbaltur; dhe mbi gur vuri këmbët e mia, dhe hapat e mi i drejtoi.

Në gojën time një këngë të re vuri, himn për Perëndinë tonë. Shumë vetë do ta shohin këtë dhe do të tremben dhe do të shpresojnë tek Zoti.

Lum ai njeri që vë tek emri i Zotit shpresën e tij, dhe nuk vështroi në kotësira dhe në mani gënjeshtare.

O Zot, Perëndia im, i shtove mrekullitë e tua, dhe në mendimet e tua s’ka kush të të arrijë. Shpalla dhe fola se u shtuan shumë.

Ti nuk deshe therore dhe dhuratë; dhe bëre trupin tim. Nuk kërkove as theror me djegie të plotë dhe as për mëkatin.

Atëherë thashë: Ja tek po vij. Eshtë shkruar për mua në krye të librit.

Perëndia im, më pëlqeu të bëj dëshirën tënde, dhe ligji yt është brenda zemrës sime.

Shpalla drejtësinë tënde në mbledhjen e madhe; ja, nuk po i mbyll buzët e mia, ti e di, o Zot.

Nuk e fsheha drejtësinë tënde brenda zemrës sime, të vërtetën tënde tregova dhe shpëtimin tënd, nuk ia fsheha përdëllimin tënd dhe të vërtetën tënde mbledhjes së madhe.

Dhe ti, o Zot, mos m’i largo përdëllimet e tua; mëshira jote dhe e vërteta jote më mbrojtshin gjithmonë.

Se të këqia të panumërta më rrethuan, paudhësitë e mia më arritën, dhe nuk munda t’i shikoj, u shtuan më shumë se flokët e kokës sime, dhe zemra ime më la.

Shpëtomë, o Zot, sipas mirëdashjes tënde; o Zot, nxito të më ndihmosh.

U turpërofshin e iu nxiftë faqja që të gjithë a tyre që shpirtin tim kërkojnë ta humbasin; shpinën kthefshin dhe mbuluar qofshin me turp ata që menduan të keqen.

U shpagofshin menjëherë për turp të vet ata që më thonë: Të lumtë, të lumtë!

U ngazëllofshin e u dëfrefshin në ty, të gjithë ata që të kërkojnë, o Zot, dhe le të thonë kurdoherë: Zoti qoftë i madhëruar, ata që duan shpëtim prej teje.

Dhe unë i varfër jam dhe nevojtar, Zoti do të kujdeset për mua.

Ti ndihmësi im je dhe mbrojtësi im. Mos vono, o Perëndia im!

Lavdi Atit … Tani … Aliluia.