EmailFacebookKontakt

Të kthejmë sytë nga mbretëria e Qiejve

Apostull Pavli thotë për Epifaninë, Shfaqjen e Zotit: “Vëllezër, u shfaq Hiri Perëndisë, që është shpëtimtar për gjithë njerëzimin”. Është dhënë tek ne zbulesa dhe dhurata e Perëndisë. Askush nuk mund të mos njohë të vërtetën. Të gjithë e kemi në dorë. Të gjithë mëkatarët e kanë në dorë shpëtimin e tyre. Të gjithë njerëzit e çdo race, gjuhe dhe vlere, mund të gjejnë të vërtetën. Të gjithë mëkatarët, qofshin dhe kriminelë kanë mundësi të besojnë dhe të gjejnë shpëtimin e tyre, sepse Hiri i Perëndisë u shfaq; e vërteta doli në dritë, shpëtimi iu dhurua. Dhe të gjitha këto nëpërmjet Krishtit, sepse askush tjetër nuk është Hiri i Perëndisë përveç Krishtit të mishëruar, që sot po pagëzohet. Ai është e vërteta; Ai është jeta; Ai është shpëtimi! Pra është e mundur që të gjithë të shpëtojmë. Por Hiri i Perëndisë që u shfaq nga dhembshuria e Perëndisë, nuk na shpëton në mënyrë magjike. Patjetër duhet bashkëpunimi i njeriut. Është e domosdoshme që kontributi i njeriut të jetë sa më i madh.

Prandaj apostulli thotë: “Na mëson të mohojmë pabesinë dhe lakminë e botës, që të rrojmë me urtësi, me drejtësi dhe me shpresëtari në këtë jetë, duke pritur shpresën e lumtur dhe shfaqjen e lavdisë së Perëndisë të Madh dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht”.

Hiri i Perëndisë na edukon. Hiri i Perëndisë, i cili është Ai vetë Krishti Shpëtimtar na ofron të vërtetën dhe shpëtimin, por dhe na fton të luftojmë kundër veseve, duke përvetësuar të mirat. Na fton të mohojmë mëkatin dhe epshet, që të kultivojmë virtytet. Për këtë më parë duhet të mohojmë pabesinë dhe epshet, që shkatërrojnë mendjet dhe zemrën e njerëzve, duke e bërë të paaftë për çdo virtyt dhe shpëtim.

Pas mohimit të tyre dhe pas pastrimit shpirtëror, të fillojmë luftën për një jetë të pastër shpirtërore.

Të luftojmë me mençuri, vetëpërmbajtje dhe pastërti shpirtërore. Kështu nuk do të kemi lidhje me mendimet, me epshet dhe me aktivitetet trupore të jashtme, që janë djallëzore deri në neveri.

Këto i përkasin mençurisë.

Por ne duhet të jetojmë edhe me drejtësi, pa vjedhur dhe pa bërë padrejtësira, por me sinqeritetin e drejtësisë, duke fituar bukën tonë me djersën e ballit.

Ne duhet të jetojmë me shpresëtari, dmth me besim dhe frikë Perëndie, duke iu përkushtuar Perëndisë me dashuri dhe përkushtim, me gjithë zemër, duke iu bindur vullnetit të Tij.

Të gjitha këto janë qëllimi i jetës së njeriut dhe luftës së tij. Duhet që këtë gjë ta kuptojmë mirë. Të jetojmë me urtësi, drejtësi dhe me shpresëtari.

Për këto Krishti dha veten e Tij, duke u flijuar për ne, që të na çlirojë nga çdo ligësi dhe të na pastrojë, që të bëhemi populli i Tij i zgjedhur. Ai edhe me gjakun e Tij na ka shpëtuar dhe na ka shenjtëruar. Ai na ka dhënë Hirin, fuqinë dhe pushtetin që të mposhtim djallin.

Të gjitha këto u bënë për shpëtimin tonë, domethënë Lindja, Pagëzimi, Kryqëzimi, Ngjallja, Ngjitja në qiell dhe zbritja e Shpirtit të Shenjtë, u bënë për jetën e pasosur.

Këtu është shpëtimi, domethënë trashëgimi i jetës së qiellit dhe të trashëguarit e Mbretërisë së Qiejve.

Pra, le të kthejmë të gjithë sytë tek kjo Mbretëri dhe ta kërkojmë atë me shpirt.

I.J.