Periudha e Triodhit fillon me të dielën e Fariseut dhe te Kumerqarit dhe zgjat deri të Shtunën e Madhe. Emri “Triodhi” vjen nga libri liturgjik i Kishës sonë që përmban Shërbesat e kësaj Periudhe. Quhet ndryshe edhe triodhi “me frymë të dërrmuar”, sepse me himnet e tij të shkëlqyera na sjell emocione të shenjta dhe na nxit në jetë të shenjtë. Të kremtet e lëvizshme dhespotike që fillojnë me triodhin dhe mbarojnë në Pashkë janë:
a) E diela e Kumerqarit dhe e Fariseut. Paravolia e Kumerqarit dhe e Fariseut (Luk. 18,10-14) që dëgjojmë këtë të dielë, na mëson rendësinë e përulësisë dhe vlerën e lutjes.
b) E diela e djalit plangprishës. Me paravolinë e plangprishësit ne shikojmë se ku katandiset mëkatari, por në të njëjtën kohë edhe dimensionin e dashurisë hyjnore.
c) E diela e të lidhurit të mishit. Kjo është dita e fundit që hamë mish. Këndimi nga Ungjilli (Matth. 25,32-46) që flet për gjykimin pas vdekjes na fton të pendohemi dhe të sjellim në mendje Ardhjen e Dytë të Krishtit.
d) E diela e të lidhurit të djathit. Këtë ditë mbaron kreshma e lehtë gjatë të cilës përdorim produkte qumështi. Këndimi respektiv i Ungjillit (Matth. 6, 14-21) na mëson kreshmën e vërtetë. Ditën më pas, “të hënën e pastër” siç quhet, fillon Kreshma e Madhe. Kjo na kujton kreshmën 40-ditore të Zotit tonë Iisu Krisht. Duke filluar nga kjo javë çdo të premte në darkë për katër javë psallen “Përshëndetjet e Hyjlindëses”. Javën e pestë psallet në mënyrë panegjerike i gjithë “Himni Akathist”.
e) E diela e Orthodhoksisë dhe e para e kreshmëve. Kjo e dielë i kushtohet rivendosjes së ikonave që u bë nga Perandoresha Theodhora në vitin 843. Edhe litania e ikonave të shenjta që bëhet këtë ditë nëpër kisha simbolizon triumfin e besimit të drejtë. Këndimi nga Ungjilli (Joan. 1, 44-52) i referohet pohimit të besimit.
f) E diela e dytë e kreshmëve. Këtë të dielë dëgjojmë Këndimin nga Ungjilli (Mark. 2, 1-12) që na flet për shërimin e të paralizuarit. Po këtë ditë kremtojmë edhe kujtimin e shenjtit të madh të Orthodhoksisë Grigor Pallamait.
g) E diela e tretë e kreshmëve ose e Faljes së Kryqit. Jemi pothuajse në mes të Kreshmës së Madhe. Kisha jonë për të na fuqizuar në rrugën e gjatë të kreshmës na fton t’i falemi Kryqit të Nderuar të Zotit. Frymën e sakrificën na mëson edhe Këndimi Ungjillor i ditës (Mark. 8, 34-9, 1).
h) E diela e katërt e kreshmëve. Këtë të dielë kremtojmë edhe kujtimin e shën Joanit, shkrimtarit të “Shkallës”. Quhet kështu për shkak të veprës së tij të mrekullueshme që bën fjalë për shkallën e virtyteve nga më i ulti tek më i larti. Mbasditen e së mërkurës që pason psallet “Kanoni i Madh”, himni i mrekullueshëm i shën Andreas, episkopit të Kretës.
i) E diela e pestë e kreshmëve. Me këtë të diel fillon java e fundit përpara Javës së Madhe. Kisha jonë për të na përgatitur sa më mirë na kujton pendimin e oshënares Mari Egjiptianes. Këndimi nga Ungjilli (Mark. 1, 32-45) na rrëfen ndodhitë që prisnin Krishtin në Jeruzalem.
j) E diela e Dafinave. Kjo e dielë na përgatit për Javën e Madhe. Këndimi nga Ungjilli i kësaj të diele (Joan. 12, 1-18) na tregon hyrjen triumfale të Krishtit në Jeruzalem. Të njëjtën gjë na kujtojnë edhe dafinat që shpërndahen nëpër kisha. Këtë ditë hamë peshq duke ndërprerë për pak kreshmën.