EmailFacebookKontakt

Të kremtet e krishtera

Të kremte quajmë ato ditë që ka caktuar Kisha jonë: a) për të kujtuar ngjarjet e mëdha të jetës së shenjtë të Zotit tonë Iisu Krisht, b) për të nderuar shenjtët dhe c) për të festuar ndodhi të rëndësishme të jetës sonë kishtare. Të kremteve na jepet rasti të adhurojmë Perëndinë, duke marrë pjesë në shërbesat e shenjta dhe madje dhe në Liturgjinë Hyjnore. Për më tej, na krijohet rasti të çlodhemi nga punët tona, të bëjmë vepra të ndryshme bamirësie, të lexojmë Shkrimin e Shenjtë dhe librat e tjera fetare dhe të jetojmë në një atmosferë të gëzueshme. Gëzimin e të kremteve e ndjejmë veçanërisht nëse marrim pjesë në mënyrë të denjë në Misterin e Eukaristisë Hyjnore.

Ciklet tona kremtore

Kisha jonë ka caktuar dy cikle kremtore:

a) Cikli javor. Në këtë cikël kremtor vendin e parë midis ditëve të javës e ka e diela, sepse në atë ditë u Ngjall Zoti. E diela është dita e Zotit, dita e adhurimit hyjnor dhe e veprave të mira. U veçuan gjithashtu edhe e mërkura dhe e premtja si ditë kreshme për Tradhëtimin dhe Pësimet e Zotit.

b) Cikli vjetor. Në këtë cikël bëjnë pjesë të kremtet që festohen një herë në vit. Këto të kremte i ndajmë në të kremte të Zotit (dhespotike), të kremte të Hyjlindëses së Tërëshenjtë (Teomitorike), dhe të kremtet e Shenjtëve. Të kremte të Zotit (dhespotike) quajmë ato të kremte që i referohen Zotit tonë Iisu Krisht. Këto ndahen në të palëvizshme dhe të lëvizshme. Të palëvizshme quajmë ato të kremte të cilat festohen çdo vit në të njëjtën datë duke pasur për qendër Krishtlindjet. Të lëvizshme quajmë ato të kremte të cilat nuk festohen gjithmonë në të njëjtën datë dhe si qendër kanë Pashkën.

Të kremte të Hyjlindëses së Tërëshenjtë (Teomitorike) quajmë ato të kremte që i referohen Hyjlindëses së Tërëshenjtë Mari.

Të kremte të Shenjtorëve quajmë ato gjatë të cilave nderojmë shenjtorët e Kishës sonë. Shën Joan Gojarti thotë se për ne të krishterët “është gjithmonë e kremte”.