EmailFacebookKontakt

“Të jetosh në botën orthodhokse”

Edhe këtë vit me bekimin e Kryepiskopit Anastas u zhvilluan kampet e fëmijëve në 18 vende të Shqipërisë, 2 kampe i përkisnin qytetit të Tiranës. Në Tiranë kampet u zhvilluan pranë ambienteve të Kishës “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”. Aty morën pjesë rreth 70 fëmijë. Kampet e fëmijëve u zhvilluan në dy periudha. Periudha e parë përfshinte fëmijë të moshës 4-9 vjeç, ndërsa periudha e dytë fëmijë të moshës 10 – 14 vjeç. Tema e kampit për këtë vit ishte:

“Të jetosh në botën Orthodhokse … Fëmijët që e duan Kishën”.

Çdo periudhë zgjati nga 7 ditë. Gjatë këtyre ditëve fëmijët patën mundësinë të merrnin pjesë në një sërë aktivitetesh të ndryshme si: Lutja e mëngjesit, meditimi mbi temën e mësimit të ditës, mësim, punëdore, lojëra të ndryshme, vizatim, skeçe, këngë, recitime etj.

Fëmijët ishin të ndarë në grupe të quajtura: Mëngjesore, Mbrëmësore, Pasdarka dhe Orët. Këtë vit Zyra e Fëmijëve dëshironte të përcillte tek fëmijët rëndësinë e lutjes për ne të krishterët orthodhoksë. Çdo ditë flisnim për lutjet që bëhen në Kishë duke i marrë me radhë sipas emrave të grupeve që kishim. Çdo mëngjes pas lutjes kishim një meditim, i cili shërbente për ato që do të mësonim gjatë ditës. Puna e dorës gjithashtu i ndihmonte fëmijët të kuptonin më qartë atë që dëgjuan në mësim. Çdo ditë ne shikonim se fëmijët kishin marrë diçka nga ato që mësuan dhe lutim Zotin që të këto mësime të forcohen dhe rriten gjatë jetës së tyre. Një ditë të kampit e kishim të mbushur vetëm me lojëra. Meditimi i asaj dite i mësoi fëmijët se qëllimi i lojërave nuk është konkurimi, por gëzimi që marrin kur luajnë së bashku. Gjithashtu fëmijët kishin një periudhë kohe kur duhet të shprehnin talentet e tyre si në recitim, këndim, skeç dhe vizatim. Buzëqeshja dhe gëzimi i fëmijëve i jepnin frymëzim dhe forcë atyre që po punonin në emrin e Zotit. Shpresojmë se këto kampe janë një ndihmë për formimin fetar dhe edukativ të fëmijëve, duke i parë jo thjesht si argëtim gjatë verës, por në të njëjtën kohë, mësim, i cili do t’u shërbejë për gjithë jetën. Mendojmë që fëmijëve t’u afrojmë aktivitet edhe gjatë vitit me dëshirën që të rriten si fëmijë të krishterë e të kulturuar për t’i shërbyer Kishës edhe vendit si njerëz të perëndishëm.

Zyra e fëmijëve