EmailFacebookKontakt

Të jemi dritë për Krishtin në botë

Ky ishte mesazhi i përcjellë tek fëmijët në këtë prag Krishtlindjesh. Zyra e Fëmijëve e Kishës, në bashkëpunim me Zyrën e Katekizmit dhe me studentët e Akademisë Teologjike Orthodhokse, bënë të mundur organizimin e një programi festiv për fëmijët në 25 zona të ndryshme të Shqipërisë.

Kështu, në datën 13 dhjetor, në mjediset e Kishës së Shën Prokopit dhe të Shkollës “Protagonistët” u zhvillua një veprimtari ku morën pjesë rreth 115 fëmijë. Ata i përkisnin grupeve të katekizmit, nxënës të shkollës dhe fëmijë nga organizata “Fëmijët e botës”, e cila arsimon dhe edukon fëmijët e rrugës. Në këtë ditë fëmijët patën mundësinë të ndiqnin një program festiv, në të cilin u dha një shfaqje teatrale, e titulluar “Djali i vogël daulltar”. Ajo përcillte tek fëmijët mesazhin, se të gjithë ne duhet të ofrojmë dhuratat për Jisuin foshnjë në këtë prag Krishtlindjesh.

Së dyti, u zhvillua mësimi me temë: “Të jemi dritë për Krishtin në botë”. Ai u tregonte fëmijëve se Krishtlindja është koha që sjell shpëtim, gëzim, dritë, shpresë, paqe, dashuri etj. Fëmijët patën mundësinë që të dëgjonin një shpjegim, sepse Krishtlindja është koha që sjell gjithë këto gjëra. Mësimi fillon dhe mbaron me një lutje dhe në fund të mësimit të gjithë fëmijët do të shkonin një nga një tek mësuesi, do të merrnin nga një fishekzjarr të vogël dhe do të thonin para shokëve të tyre, se si në këtë Krishtlindje ata do të ishin dritë dhe se çfarë do të ishte dhurata e tyre për Jisuin foshnjë.

Gjithashtu, në këtë veprimtari u përfshi dhe punëdorja: zbukurimi i një ylli, i cili na tregon se lindja e Krishtit e mbushi botën me dritë. “Sepse dikur ishit në errësirë, por tani jeni në dritë me Zotin, ecni pra, si bij të dritës”.

Gjithashtu, të gjithë fëmijët së bashku kënduan këngë për Krishtlindjet dhe luajtën lojëra të ndryshme. Ata patën mundësinë të merrnin si dhuratë dy libra për Krishtlindjet: “Jisui po vjen”, një libër me figura, të cilat duhej të ngjyroseshin dhe të priteshin dhe çdo ditë duhej të afrohej një figurë pranë grazhdit, deri në datën 25 dhjetor, ku në grazhd duhej të vendosej Jisui foshnjë dhe i gjithë grazhdi duhej të ishte i kompletuar. Ndërsa libri tjetër kishte histori dhe punëdore, që fëmijët mund t’i bëjnë vetë në shtëpitë e tyre. I gjithë programi filloi dhe mbaroi me një lutje. Fëmijët u larguan të gëzuar dhe me plot mirënjohje. Ne shpresojmë se mesazhi që u përcoll tek ata do t’i bëjë të përgatiten dhe ta presin me gëzim festën e mrekullueshme të Krishtlindjeve.

Në këtë frymë Krishtlindjeje duam t’i shprehim mirënjohjen dhe falënderimet tona Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas, për bekimin dhe mbështetjen e tij financiare, si dhe të gjithë atyre që punuan për realizimin e këtij aktiviteti.

Krishti Lindi! Lavdërojeni Atë!

Ana Kërçuku
Gabriela Bezhani