EmailFacebookKontakt

“Të ecim me Krishtin”

“Të ecim me Krishtin”
– Konferencë e studentëve në Manastirin e Shën Vlashit –

Qëllimi i Krishterimit është të jesh me Krishtin dhe të kesh mendjen e Tij. Ky ishte mesazhi thelbësor që iu përcoll të rinjve orthodhoksë në konferencën studentore me temë: “Të ecim me Krishtin”, e cila u zhvillua më 23 – 25 prill, në Manastirin e Shën Vlashit, në Durrës. Mbi 100 studentë kishin ardhur nga disa qytete të Shqipërisë për të marrë pjesë në seancat e referateve dhe në programet kulturore.

Në referatin e parë, At Luka shpjegoi disa nga shkaqet pse të rinjtë që e fillojnë me zell rrugën me Perëndinë largohen pas një farë kohe prej Tij. “Unë mendoj, – tha ai, – se disa nga to janë:
1. Përqendrimi tek detaje të vogla të fesë dhe humbja e frymës thelbësore të të jetuarit të besimit.
2. Të paturit zell pa dashuri dhe pa kuptimin e besimit.
3. Futja në mentalitetin e botës që na rrethon e mohimi i standardit që Perëndia na ka dhënë në Kishë dhe nëpërmjet zbulesës së Tij të Shenjtë.
4. Largimi nga besimi pas shkollës. Përfshirja në punë e në botën përrreth, lindja e dyshimit në rolin qendror të besimit në jetën e përditshme.
5. Lejimi i zhgënjimeve që errësojnë pamjen për Kishën e për të ardhmen.

Ndërsa në referatin e dytë foli për qëllimin e Krishterimit, i cili është të jesh një me Krishtin dhe të kesh mendjen e Krishtit. “Shikoni jetën e Tij si një model për ta imituar në jetën e përditshme dhe kini brenda vetes tuaj po atë ndjenjë që ishte në Jisu Krishtin, i cili edhe pse ishte në trajtë Perëndie nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë njëlloj me Perëndinë, por e zbrazi veten e Tij duke marrë trajtë shërbëtori. Prandaj dhe Perëndia e lartësoi madhërisht e i dha një emër përmbi çdo emër”.

Në referatin e tretë dhe të fundit në këtë konferencë ai foli për vazhdimësinë e brezave të rinj në jetën misionare këtu në Shqipëri në mënyrë që të ndihmohen të gjithë njerëzit për të ecur në rrugën me Krishtin. “Ne hodhëm rrënjët dhe disa nga ju tashmë kanë flatra për të fluturuar vetë në këtë rrugë. Para 10 vjetësh kishim si qëllim kryesor si misionarë këtu në Shqipëri të gjenim disa njerëz që nesër ose pasnesër të vazhdojnë punën që ne nisëm. Tani që do largohem jam i bindur se ka shumë njerëz që do të jenë të aftë të mësojnë edhe të tjerët dhe të vazhdojnë punën e Krishtit” – theksoi At Luka.

Ana Baba