EmailFacebookKontakt

“Të duam të tjerët, sepse Perëndia na do ne”

Një grup të rinjsh të Lidhjes Rinore “Bij të Dritës”, së bashku me at Theologun, javët e fundit organizuan disa vizita në institutin e fëmijëve që nuk shikojnë.

Të rinjtë orthodhoksë rikthehen në këtë institut pas një viti, duke mos harruar në asnjë çast, se duhet “Të duam të tjerët, sepse Perëndia na do ne”, për të ndarë me ta një dashuri shumë të madhe; dashurinë e Perëndisë. Dhe tashmë u rikthyen tek ata fëmijë, për të qenë të paktën njëherë në javë mes tyre.

Në këtë institut ndodhen rreth 58 fëmijë me moshë deri 17 vjeç, nga Tirana e nga rrethet. Një pjesë e tyre shkojnë për fundjavë në gjirin e familjes, ndërsa të tjerët qëndrojnë në institut. Kështu, të rinjtë, gjatë boshllëkut të fundjavës, duke “kapërcyer” seriozitetin e moshës, mundohen të futen thellë në botën e këtyre fëmijëve, duke filluar me ta një bisedë të lirë mes ëndrrave dhe dëshirave të tyre, për shkollën (e cila u pëlqen shumë), kohën e lirë etj…

Dikush prej tyre merr guximin dhe falenderon. “Jemi shumë të lumtur që ju vini në shtëpinë tonë. Faleminderit”, – kështu shprehet Ixhensi nga Lezha, nxënës i klasës së pestë. Ai flet për aktivitetet e shumta që organizojnë, ku më të rëndësishmin e kishte regjistruar dhe TV Shqiptar. Ixhensi vazhdon e flet me shpirtin e një artisti të vogël, por edhe me një keqardhje të madhe, sepse ata për ne nuk mund të luajnë diçka me veglat e tyre muzikore, pasi mungon njëra nga vajzat e grupit.

Megjithatë, katër vajza fillojnë të këndojnë disa këngë për Zotin, më pas të gjithë së bashku. Fëmijët premtojnë se do të përpiqen të luajnë diçka javën e ardhshme. Më pas, bisedat rifillojnë.

Të rinjtë u premtuan fëmijëve se së shpejti në institutin e tyre do të vijë sërish një nga mjekët e klinikës “Shën Lluka”. Njëkohësisht, në emër të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, ata premtuan edhe për kurimin e disa prej fëmijëve të këtij institucioni, si dhe për një kontroll të shpeshtë mjekësor të fëmijëve, gjë që do të bëhet më e lehtë, kur fare pranë institutit të tyre të përfundojë klinika mjekësore e Kishës Orthodhokse.

Në fund fëmijëve iu shpërndanë dhurata simbolike të përgatitura nga të rinjtë me kontributin e tyre.

Ata u larguan me shpresë se Zoti do të bekojë takime sa më të shpeshta me këta fëmijë, të cilët kanë nevojë më shumë se kushdo tjetër për një dashuri të madhe, dashurinë e Perëndisë.

Pandi Gjata