“Pranimi themelor i të tjerëve, ashtu siç janë, me respekt të thellë për lirinë e tyre dhe veçanërisht lirinë e ndërgjegjes, pa dashur t’u imponosh atyre pranimin e pikëpamjeve kristiane, është ajo që e bën të lehtë për ne të diskutojmë dhe të bisedojmë me pjesëtarët e besimeve ose ideologjive të tjera, të respektojmë pa rezerva të drejtat e tyre të njeriut dhe të jemi gati të bashkëpunojmë me ta në një përpjekje të përbashkët për të siguruar pranimin dhe mbrojtjen universale të këtyre të drejtave, bashkëekzistencën paqësore dhe në një përpjekje të përbashkët krijuese drejt një shoqërie universale të dashurisë”
Me këtë mesazh e përfundoi ligjëratën e tij mbajtur para intelektualëve Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Prof. Dr. Anastasi. Ligjërata “Të drejtat e njeriut në Tradi-tën Orthodhokse”, e zhvilluar në Kishën Katedrale të Tiranës më 7 dhjetor, ishte e dyta në kuadrin e ciklit “Ligjërata të intelektualëve” që zhvillohet të mërkurën e parë të çdo muaji.
Pjesëmarrja shumë e gjerë që në takimin e parë, dhe megjithatë në rritje në takimin e dytë, provon se tashmë cikli i programuar është i mirëpritur.
Qirinjtë, kësaj here të ndezur për ndriçim në mungesë të dritës elektrike, dhanë me të vërtetë një mjedis të pazakontë për takime të kësaj natyre; ndoshta për të konfirmuar sërish se ajo çka për jetën normale mund të quhet vështirësi përcaktuese, për jetën e Kishës, me Hirin e Perëndisë, mund të shndërrohet në bekim.
Pas trajtimit sa të arrirë aq edhe aktual të një teme të parrahur më parë dhe në përgjigje të duartrokitjeve të ngrohta, Kryepiskopi Anastas, duke i rikonfirmuar takimin e ardhshëm, të mërkurën e parë të janarit, ftoi intelektualët të japin kontributin e tyre me trajtime temash të specialiteteve të ndryshme. Ashtu si çdo gjë tjetër që bëjmë, – përfundoi Kryepiskopi, nuk përbën qëllim në vetvete, por hapin rrugën për t’u dorëzuar më pas stafetën të tjerëve.