Të enjten, 13 shkurt 2003, u zhvillua një tjetër takim i Kryepiskopit Anastas me të rinj dhe intelektualë të kryeqytetit. Në Kishën e Ungjillëzimit, të mbushur plot e përplot, Fortlumturia e Tij mbajti temën “Të drejtat e njeriut dhe Orthodhoksia”. Në fillim, Kryepiskopi iu drejtua auditorit, duke kujtuar se karakteri i temave të mbajtura nuk është predikues, por i konceptuar si leksione për tema të një rëndësie më të gjerë. Edhe tema e të drejtave të njeriut preokupon shumë njerëzimin e sotshëm, por rreth saj ka dhe mjaft paqartësi. Gjithashtu, elementët që e përbëjnë atë, si të dinjitetit, lirisë dhe barazisë mes njerëzve e kanë rrënjën në pikëpamjet e krishtera, Për ne çdo njeri është i respektuar dhe nuk mund t’i cënohet liria dhe barazia, sepse të gjithë janë të mbrujtur sipas ikonës hyjnore.
Më pas Kryepiskopi Anastas, vazhdoi:
“Trajtimi konsekuent i temës “Të drejtat e njeriut” ose “të drejtat njerëzore” (Human Rights) mbart në vetvete një pikëpamje të përgjithshme rreth njeriut. Pyetja “Ç’është njeriu?” zë një vend qendror në kërkimin e përgjithshëm fetar dhe në veçanti në mendimin e krishterë. Eshtë më se e dukshme se ndërgjegjja dhe besimi fetar, në mënyrë direkte apo indirekte, luajnë një rol vendimtar në formimin e pikëpamjeve rreth të drejtave të njeriut, si dhe në pranimin e tyre të vullnetshëm. Terminologjia përkatëse dhe deklaratat ndërkombëtare natyrisht janë më të reja. Por, për thelbin e çështjes si mendimi teologjik orthodhoks, ashtu dhe historia e Kishës, ofrojnë një material të çmuar.
Duke studiuar deklaratat përkatëse, konventat ndërkombëtare dhe dokumentet e tjera që iu referohen të drejtave të njeriut, konstatohet njëfarë paqëndrueshmërie në përmbajtjen e nocionit “të drejtat njerëzore”. Akumulimi i vazhdueshëm i përcaktimeve të reja e shton paqartësinë.
Shkalla e përputhjes së ndërgjegjes orthodhokse nuk është e njëjtë për të gjitha ato të drejta që janë cilësuar herë pas here si “të drejtat e njeriut”. Për bërthamën bazë të tyre – lirinë, barazinë, dinjitetin e njeriut – sigurisht ekziston një akord spontan dhe pohim absolut. Pjesën më të madhe i pranon si konsekuenca të qëndrimit të saj të përgjithshëm për njeriun. Por, për shumë nga këto nuk men* qëndrim, duke ia lënë të hapura thjesht preokupimit njerëzor.
Por, kur bëhet fjalë për përputhje ose rezerva të ndërgjegjes orthodhokse, nuk duhet harruar se perspektiva e deklaratave dhe ajo e fesë, paraqesin dallime për nga pikënisja. Deklaratat përkatëse kërkojnë të rregullojnë jetën e njeriut si qenie civile, në hapësirën e pushtetit të Qezarit; u referohen marrëdhënieve të individit me shtetin. Ndërsa për Kishën Orthodhokse thënia “jepini Qezarit ç’është e Qezarit dhe Perëndisë ç’janë të Perëndisë” (Matt. 22:21), cakton kufij të qartë diferencimi të sferës fetare dhe asaj shtetërore. Besimi i krishterë fillon nga Perëndia dhe rikthehet tek Ai. Orthodhoksia nuk sanksionoi dhe as adoptoi një sistem social-politik (si tentoi p.sh. Islami); nuk i absolutizoi institucionet natyrale. Ajo ka kërkuar dhe kërkon çdo herë që t’i përfshijë ato në kuadrin e jetës më Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë.
Gjithashtu, ekziston një dallim i qartë për sa u përket mjeteve dhe thellësisë së asaj që synohet: Deklaratat synojnë imponimin e tezave të tyre me një formë shtrëngimi ligjor, politik. Mesazhi i krishterë i drejtohet mendimit dhe ndërgjegjes me anën e bindjes dhe besimit. Deklaratat theksojnë kryesisht respektimin e jashtëm. Ndërsa Ungjilli këmbëngul në miratimin e brendshëm, në rilindjen dhe metamorfozën shpirtërore. Rrjedhimisht, çdo tentativë për rishikimin e të drejtave të njeriut nga ana orthodhokse duhet të ruajë ndjesinë e qartë të këtyre ndryshimeve të perspektivës…
Eshtë e kuptueshme dhe e domosdoshme që të kërkohet një bazë e përbashkët përputhjeje në shoqërinë pluraliste, në të cilën jetojmë sot. Por, kërkohet që të mbetet e gjallë ndëgjegjja se, në çastin kur bëhen kompromise të ndryshme për të konkluduar në një konsensus, diçka humbet nga e vërteta e përgjithshme dhe përfundimtare për misterin e njeriut. Ndaj, duke mbetur besnikë dhe të përkushtuar kundrejt të drejtave e njeriut, do të duhet gjithashtu të mbetemi të hapur edhe në hapësirën tjetër, që ka të bëjë me të drejtat njerëzore më të thella dhe më thelbësore, të cilat asnjë deklaratë ligjore nuk mund t’i përfshijë. Edhe në këtë pikë vazhdon aktualiteti i fesë…”.
Në fund Kryepiskopi tha se kjo temë është mjaft e gjerë dhe ka edhe kapituj të tjerë që nuk po i prekim, si tradita e Kishës Orthodhokse në shekuj apo rezervat nga pikëpamja fetare për deklaratat e të drejtave të njeriut etj. Pastaj ai kërkoi që të bëheshin pyetje nga të pranishmit, që sqaruan më tej disa aspekte të temës.
Gjithashtu, në fund Kryepiskopi foli edhe rreth lajmit të gëzueshëm të aprovimit të vendit për rindërtimin e Katedrales Orthodhokse, pranë qendrës së kryeqytetit. Ai e lidhi këtë çështje, me atë të të drejtave, duke folur për zërat që i kundërvihen rivendosjes së kësaj të drejte të mohuar për më shumë se tri dekada, si dhe nevojës që si intelektualët ashtu edhe të rinjtë orthodhoksë ta thonë më shumë fjalën e tyre në mbrojtje të të drejtave të Kishës sonë.
Veprimtaria u shoqërua edhe nga kori i Radios “Ngjallja”, që krijoi një atmosferë mjaft të ngrohtë me këngët e himnet fetare që këndoi në fillim dhe në fund të veprimtarisë.
Korresp. / “Ngjallja”