E Diela e Shën Thomait:
Antipashka
Në çdo ditë të javës mbas Pashkës, e quajtur nga kisha Java e Ndritshme, shërbesat paskale kremtohen me tërë shkëlqimin e tyre. Sinaksari i Pashkës përsëritet çdo ditë si dhe himni “Sa u pa- gëzuat”. Dyert e Bukura të Hier’ores qëndrojnë të hapura. Gëzimi i Ngjalljes dhe dhurata e Mbretërisë së jetës së amshuar vazhdon me bollëk. Pastaj, në fund të javës, të shtunën në mbrëmje kremtohet kujtimi i shfaqjes së Krishtit tek Apostulli Thoma “mbas tetë ditësh” (Joani 20:26).
Eshtë e rëndësishme të vihet re, që numri tetë ka një kuptim simbolik në traditën shpirtërore judeo- kristiane. Ai tregon diçka më tepër se sa plotësinë dhe përmbushjen; ai tregon Mbretërinë e Perëndisë dhe jetën e botës që vjen, meqenëse shtata është numri i kohës tokësore. Sabati, dita e shtatë, është dita e bekuar e pushimit në këtë botë, dita e fundit e javës. “Dita e parë e javës,” dita “mbas Sabatit”, theksuar në të gjithë Ungjijtë si dita e Ngjalljes së Krishtit (Marku 16:1, Matheu 28:1, Lluka 24:1, Joani 20:1, 19) është pra “dita e tetë”, dita përtej kufijve të kësaj bote, dita që qëndron për jetën e botës së ardhshme, dita e pushimit të amshuar e Mbretërisë së Perëndisë. (Shih Hebrejtë 4).
E Diela mbas Pashke, e quajtur e Diela e Dytë, është kështu dita e tetë e kremtimit paskal, dita e fundit e Javës së Ndritshme, prandaj edhe është quajtur Antipashka, sepse vetëm në këtë ditë në Kishën e vjetër, të porsa të pagëzuarit i hiqnin rrobat e tyre të bardha të pagëzimit dhe hynin përsëri në jetën e kësaj bote.
Në shërbesat e Kishës i vihet theksi shfaqjes së Krishtit tek Apostulli Thoma. Rëndësia e ditës vjen tek ne nëpërmjet fjalëve të Ungjillit:
Pastaj i tha Thomait: “Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; dhe shtrije dorën e vëre në brinjën time; dhe mos u bëj i pabesë, por besëtar. Edhe Thomai u përgjigj e i tha: “Zoti im dhe
Perëndia im!” Jisui i thotë: “Sepse më pe besove, lum ata që nuk panë dhe besuan” (Joani 20:27-29).
Ne nuk e kemi parë Krishtin me sytë fizikë dhe as e kemi prekur trupin e tij të ngjallur me duart tona, por në Shpirtin e Shenjtë ne e kemi parë dhe shijuar Fjalën e Jetës (I Joani 1:1-4) dhe kështu ne besojmë.
Në çdo shërbesë ditore deri në Ditën e Ngritjes (Shestja), ne këndojmë Troparin e Pashkës. Në secilën nga shërbesat e të Dielave pas Pashke, duke filluar me të Dielën e Shën Thomait, ne këndojmë Katavosit (zbritësore) dhe himnet e Pashkës dhe përsërisim kremtimin e “ditës së parë të javës”, në të cilën Krishti u ngjall së vdekurish. Këndimet e Apostullit janë prej Veprave të Apostujve, ku tregohet për të krishterët e parë, të cilët jetuan me kungimin e Zotit të Ngjallur. Këndimet e Ungjillit janë nga Ungjilli i Shën Joanit, konsideruar nga shumë, si një Ungjill që u shkruajt kryesisht për ata që janë të porsapagëzuar në jetën e re të Mbretërisë së Perëndisë, nëpërmjet vdekjes dhe rilindjes në Krishtin, në emër të Shën Trinisë. Arsyeja për këtë opinion qëndron në faktin se të gjitha “shenjat”, siç quhen mrekullitë në Ungjillin e Shën Joanit, kanë të bëjnë me temat misterore që përfshijnë ujin, verën dhe bukën. Kështu, secila nga të Dielat mbas të Dielës së Shën Thomait, me përjashtim të së tretës, i kushtohet kujtimit të njërës prej këtyre “shenjave”.