Viti që lamë pas ishte mjaft i suksesshëm për Radion “Ngjallja”, të kishës sonë, veçanërisht seria e dokumentarëve “Udhëtim nëpër kishat e hershme të Shqipërisë”, të cilat janë kthyer në emisionet më të pëlqyera nga ndjekësit tanë.
Qëllimi i këtyre dokumentarëve është të promovojë traditën e bukur e të lashtë të Krishterimit Orthodhoks në vendin tonë, duke risjellë ndërmend edhe një shprehje të Kryepiskopit Anastas: “E bukura, e vërteta dhe dashuria janë gjithmonë bashkë në Kishën tonë Orthodhokse”.
Kemi prezantuar deri tani 50 emisione dokumentarësh të kishave dhe manastireve të vjetra me vlera historike, arkitekturore e shpirtërore, duke u thelluar më tej në historinë e tyre dhe se si arritën t’i mbijetonin kohërave.
Epiki mediatik i Radios ka udhëtuar thuajse në të gjitha kishat dhe manastiret kryesore të vendit. Sigurisht, një falënderim i madh për këtë i takon të ftuarve tanë, banues në këto zona apo studiues, të cilët na kanë mundësuar prezantimin e tyre. Ndër këta personalitete përmendim: Prof. Dr. Neritan Ceka, Prof. Dr. Aleksandër Meksi, Prof. Dr. Pirro Thomo, Prof. Lida Miraj, Prof. Dr. Kostandinos Giakoumis, Dr. Thoma Shkira, historianin Ilirjan Gjika, arkeologun Dr. Elio Hobdari, arkeologun Dr. Kriledjan Çipa, Dr. Jani Koçillari, Pr. asc. dr. Edmond Hoxha, Prof. Dhimitër Qosja, Dr. Niko Ferro, z. Themistokli Bambulli etj. Padyshim, nuk mund të mos përmendim dhe klerikët e këtyre zonave, të cilët kanë qenë të pranishëm në këta dokumentarë.
Kjo punë e madhe është e bërë e mundur nga një staf i përkushtuar me dy grupe xhirimesh, të cilët punojnë mjaft për të sjellë në dritë këto thesare të çmuara.
Natyrisht, puna jonë nuk ndalet me kaq. Viti 2024 do të sjellë më shumë emisione të reja në Radion “Ngjallja”. Për t’i ardhur në ndihmë këtij qëllimi, në fund të vitit të kaluar vendosëm të hapnim një llogari Gofundme.
Një nga qëllimet kryesore të Radios është të hedhim një themel të fortë në zhvillimin e turizmit fetar, gjë që do të ndikojë drejtpërdrejt në ekonominë lokale dhe përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në nivel ndërkombëtar.
Shumë nga këto kisha gjenden në fshatra apo zona të thella me infrastrukturë të dobët dhe të vështirë për t’u aksesuar. Kësisoj, kushtet komplekse në terren dhe fondet e kufizuara përbëjnë pengesë dhe vështirësi për punën e stafit tonë. Shpesh ekipeve u duhet të shkojnë dhe të qëndrojnë në zona të izoluara dhe herë-herë të pabanuara, për ditë me radhë, për të realizuar dokumentimin tërësor të këtyre kishave.
Ftojmë të gjithë dashamirësit e Radios “Ngjallja”, si dhe të gjithë besimtarët, vlerësuesit e artit, kulturës dhe historisë, sipas mundësive, të kontribuojnë në realizimin e këtij cikli dokumentarësh në forma të ndryshme, si monetare, ashtu edhe materiale. Fondet e grumbulluara do të përdoren vetëm për realizimin e këtij cikli emisionesh.
Në këtë drejtim, synimi ynë i parë është blerja e një mjeti transporti të përshtatshëm për terrenet e vështira nëpër zonat e thella, ndërsa pjesa tjetër synon të mbulojë shpenzimet e nevojshme për punën e studiuesve dhe realizimin e dokumentarëve.
Në përfundim të këtij shkrimi, gjejmë mundësinë të shprehim falënderime dhe mirënjohje drejtuesin dhe stafin e Radios, që bashkëpunojnë në këtë projekt: Atë Grigor Pelushin, Aleksandër Dimroçin, Jorgo Kobuzin dhe Lajers Moçin.
Lavdi Perëndisë për të gjitha!
Përgatiti: Antonio Poshnjari
Për të mbështetur nismat e Radios sonë, në përpjekjen e saj për të promovuar vlerat shpirtërore, historike e kulturore të Besimit Orthodhoks në vendin tonë, mund të ofroni në linkun më poshtë, që e gjeni edhe në rrjetet sociale të Radios “Ngjallja”:
https://gofund.me/fe79a364