Në Kishën e Hyjlindëses së Tërëshenjtë ose siç njihet ndryshe “Shën Maria e Pazarit” në Përmet, u zhvillua në datat 7-9 nëntor Konferenca Rinore me temë: “Të bashkuar më Krishtin”.
Qëllimi i kësaj veprimtarie ishte, që të rinjtë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë si: Përmeti, Gjirokastra, Vlora, Fieri, Lushnja, Korça, Elbasani, Durrësi e Saranda të jepnin dëshminë e tyre për Krishtin dhe gjithashtu, të tregonin se ata nuk ishin vetëm, por të bashkuar. “Ne, jo pa qëllim e zgjodhëm qytetin e Përmetit, pasi e dimë që Kisha jonë këtu po kalon shumë vështirësi dhe vazhdon të persekutohet. Kështu që ne duam të japim një dëshmi si të rinj, por edhe si besimtarë, që jemi të bashkuar të gjithë për të bërë diçka në emër të Perëndisë”,- tha koordinatorja e Zyrës Rinore, Marina Marini.
Rreth 160 të rinj u bashkuan për tri ditë me radhë dhe kryen shërbesat fetare në Kishën e Shën Marisë së Pazarit, në të cilën dallohet qartë historia e dhimbshme e persekutimit disavjeçar të regjimit të kaluar dhe dora e “hekurt” dhe plangprishëse e ditëve tona.
Udhëpërshkrimi i Konferencës
Përmeti i luleve, i njerëzve të thjeshtë e të edukuar, qyteti i pastërtisë dhe i qetësisë shembullore, priti për herë të parë të rinj nga disa qytete të Shqipërisë, në një aktivitet historik, i cili u organizua nga Mitropolia e Gjirokastrës në bashkëpunim me Zyrën Rinore në kryeqytet. “Të bashkuar më Krishtin” ishte motoja e kësaj konference, e cila mblodhi jo vetëm të rinjtë, por edhe qytetarë e besimtarë të thjeshtë përmetarë, të cilët ndoqën me kureshtje ditët e kësaj veprimtarie. Programi ishte konceptuar në një aktivitet të gjerë fetar, kulturor e argëtues.
Të ftuar kryesorë ishin profesori i Shkollës së Mesme në Gjirokastër “Kryqi i Nderuar”, z. Joani Kandilas, si dhe motër Thekla, të cilët mbajtën dy referate.
Në referatin e parë, prof. Kandilas foli për problemet që ekzistojnë sot tek rinia si: droga, alkooli, sida etj. Përmes shifrave e fakteve ai argumentoi, se një nga arsyet kryesore të pranisë dhe rritjes së këtyre dukurive është largimi i të rinjve nga Kisha. Sipas tij: “Kisha jonë mund t’i përballojë këto probleme. Mundet që të ndihmojmë të rinjtë që janë futur në këto gracka dhe t’i japim kuptim jetës. Kisha Orthodhokse është e lidhur me të ushtruarin e besimit. Brenda këtij ushtrimi përpiqet të shmangë njeriun nga dukuritë negative dhe ta përgatisë atë për jetën shpirtërore. Kreshma, lutja dhe bindja janë mjetet për të bërë këtë jetë”. “Por, – iu tha ai të rinjve, – le të fillojmë ndryshimin nga jeta jonë dhe pastaj të ndriçojmë të tjerët”.
Ndërsa në referatin e dytë, motër Thekla foli për mënyrën se si duhet të ecim me Krishtin në rrugën e vuajtjes dhe të dashurisë. “Jisui na jep shembullin e dashurisë. Me këtë frymëzim shumë gjëra mund të afrojë një njeri i zakonshëm, mjafton që të ketë dashuri. Dashuria për ne të krishterët është urdhër. Dhe cila është kjo dashuri? Pikërisht të duash Perëndinë me gjithë zemrën, mendjen, shpirtin dhe fuqinë tënde. Brenda Orthodhoksisë nuk ekziston vetëm “unë dhe ti”, por “ne”. Vetë Krishti na tregon edhe dhembjen e tij personale, – vazhdoi motër Thekla, – në mënyrë që të kuptojmë dhembjen e tokës, varfërinë, thashethemet, mospërfilljet. Por ai tha: “Unë do të jem bashkë me ju gjer në fund të jetës”.
Gjatë ditëve të Konferencës të rinjtë morën pjesë në diskutime biblike dhe mbrëmjeve, të ndarë në grupe, u aktivizuan në programin artistik e argëtues, me lojëra, skeçe, këngë dhe recitime. Gjithashtu, ata bënë një ekskursion në fshatin Leusë, në kishën shumë të bukur, që është restauruar vitet e fundit me fondet e siguruara nga Kryepiskopi.
Konferenca tregoi dhe një herë kujdesin e veçantë dhe që tregon Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe në veçanti, Kryepiskopi Anastas për të rinjtë. Gjithashtu i ndihmoi ata të zhvillonin një jetë të pasur liturgjike brenda Kishës, për t’i bashkuar më Krishtin në një Kishë, e cila çuditërisht pretendohet të kthehet përsëri në një shtëpi kulture duke prishur vendin e shenjtë.