Prandaj, meqenëse të gjithë gëzojnë edhe unë dëshiroj të gëzohem. Edhe unë dëshiroj të marr pjesë në vallen korale, të kremtoj festën. Por, unë marr pjesë jo duke marrë harpën, as me tingujt e fyejve, as duke mbajtur një pishtar, por duke mbajtur në krahët e mi djepin e Krishtit, sepse ky është e gjithë shpresa ime! Ky është jeta ime! Ky është shpëtimi im! Ky është fyelli dhe harpa ime! Duke e mbajtur djepin e Krishtit dhe duke marrë prej tij dhuratën e të folurit, edhe unë këndoj me engjëjt dhe me barinjtë: “Lavdi Perëndisë në më të lartat dhe mbi dhenë paqe dhe mbi njerëzit mirëdashje! (Shën Joan Gojarti)
“Dola prej Atit dhe erdha në botë” (Jn.16:28) Biri i vetëm i Atit, i lindur që nga përjetësia pa nënë nga Ati, lindi sot pa atë nga një Nënë. Lindja e tij e parë është një mister i padepërtueshëm i fuqisë së Perëndisë dhe i dashurisë së Tij për njeriun. Misteri më i madh sot korrespondon me misterin më të madh në përjetësi. Që ky mister të zbulohet para nesh, le të gëzohemi me zbulimin se shpëtimi ynë nuk e ka origjinën nga njerëzit, as nga toka, por në majat më të larta të të padukshmes, d.m.th. të botës hyjnore. Kjo është mëshira e Perëndisë dhe kjo është madhështia e njeriut; në këtë mënyrë, Perëndia Bir zbriti vetë nga përjetësia në kohë, nga qielli mbi tokë, nga froni i lavdisë në grazhdin e barinjve, vetëm për të shpëtuar njeriun, për ta larë nga mëkati i tij dhe për ta çuar në Parajsë. Dola nga Ati, ku kishte gjithçka, dhe erdha në botë, ku nuk mund t’i jepte asgjë. Zoti lindi në një shpellë, për të treguar se bota është e errët dhe vetëm Ai mund ta ndriçojë. Zoti lindi në Betlehem – Shtëpia e Bukës – për të treguar se Ai është e vetmja Bukë dhe Verë e denjë e njerëzve të vërtetë. O Zot, Jisu, Bir i Parëjetshëm i Perëndisë së gjallë dhe Bir i Virgjëreshës Mari, ndriçona dhe ushqena nga të Tuat! Lavdia dhe nderi qofshin përjetë më Ty! Amin. (Shën Nikolla Velimiroviç)
Lindja e Krishtit: Ka ardhur në tokë Ai, që në fillim na krijoi nga dheu dhe fryu tek ne Frymën Tij Hyjnore; Ka ardhur Ai, që “u jep të gjithëve jetë, frymëmarrje dhe gjithçka” (Vep. 17:25.); Ka ardhur Ai, që me një fjalë të vetme i thirri nga mosekzistenca në ekzistencë të gjitha gjërat e dukshme dhe të padukshme; Ai që me një fjalë i thirri në ekzistencë zogjtë, peshqit, katërkëmbëshat, insektet dhe të gjitha krijesat, që ekzistojnë nën providencën dhe kujdesin e Tij të plotfuqishëm; Ka ardhur Ai, që e lavdërojnë vazhdimisht dhe me gëzim ushtritë e panumërta të Engjëjve. Me çfarë përulësie ka ardhur! Ai lindi në një shpellë nga një Virgjëreshë e varfër, u mbështoll me shpërgënj dhe u vendos në një grazhd. Të pasur, të nderuar, lavdi e kësaj bote, gjunjëzohuni! Gjunjëzohuni me përulësi, me përkushtim të përlotur dhe me mirënjohje të thellë para Shpëtimtarit të njerëzve dhe ndajini pasuritë tuaja me të varfrit dhe nevojtarët. Mos e lartësoni veten në nderimin tuaj imagjinar dhe të përkohshëm, sepse nderimi i vërtetë gjendet vetëm në virtyt. Lavdi e kësaj bote, mësoje para grazhdit kotësinë tënde! Prandaj, le të përulemi të gjithë; le të gjunjëzohemi të gjithë para përulësisë dhe skamjes së pakufishme të Sovranit të të gjithëve, të Perëndisë, i Cili ka ardhur për të shëruar dobësitë tona, për të na shpëtuar nga krenaria, kotësia, prishja dhe çdo papastërti mëkatare.
(Shën Joani i Kronshtadit)