At Jani Trebicka rrjedh nga një familje thellësisht besimtare, prej të cilës u edukua që i vogël me frikë Perëndie. Mbyllja e kishave e gjeti në moshën 15-vjeçare, por në rrethin e tij festat fetare vazhdonin të kremtoheshin rregullisht. I formuar me këtë traditë, së bashku me shokë e të afërm, ai e bëri traditë të bënte pelegrinazh në vende të shenjta, si në Shën Kostandin e Bradovicë, Shën Marenë e Dëshnicë etj., ku i luteshin Zotit. Duke punuar si fonditor, ai derdhte kryqe, që ua shpërndante të afërmve ose i linte në kishat e shkatërruara, që t’i merrnin besimtarët orthodhoksë që venin atje.
Ishte ndër organizatorët, së bashku me shumë besimtarë të tjerë korçarë, më 6 janar 1991, të festimit të Ujit të Bekuar në vendin e ish-kishës së Shën Triadhës. Më pas u zgjodh llogaritar i kishës, por dëshira e tij, e ndarë me familjen e miqtë, ishte të bëhej prift. Kështu me ardhjen në Shqipëri të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, si Eksark i Patrikanës Ekumenike, më 28 korrik 1991 u hirotonis dhiak dhe më 24 nëntor, të po atij viti, në prift.
Përkushtimi ndaj detyrës së shenjtë, aftësia në kryerjen e saj, bënë që ai të zgjidhej nga Këshilli i Përgjithshëm i KOASH-it në shkurt 1993, si Epitrop i Përgjithshëm Arkieratik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
1. Veprimtaria e KOASH-it nisi me 10-15 priftërinj të moshuar. Mund të na thoni cila është sot gjendja e klerit dhe ç’është bërë për shkollimin e tij?
– Pas persekutimit kishin mbetur vetëm 14 priftërinj të moshuar, të gjithë 70 vjet e lart, dhe më e keqja ishte se nuk kishte mbetur gjallë asnjë episkop, që të hirotoniste priftërinj të rinj. Me ardhjen e Imzot Anastasit gjendja ndryshoi. U hap Seminari teologjik në Durrës, ku u pregatitën dhe u hirotonisën priftërinj e dhiakonë të rinj. Sot, me gjithë të vjetrit, janë rreth 60 dhe kryejnë shërbesat dhe misteret e shenjta në të gjithë Shqipërinë. Seminari është 3-vjeçar dhe vetëm me mbarimin e vitit të dytë fillon hirotonisja si klerik e kandidatëve të denjë.
2. Mjaft shqetësime ngjall çështja e pronave, sepse ende nuk po na jepen objektet fetare e ikonat e shenjta, pa bërë fjalë për pasuritë e tjera, si toka etj. Kur do të na kthehen?
– Këtë pyetje i bëj vetes edhe unë? Kur do na kthehen objektet e shenjta, si ikona, enë të shenjta, Ungjij e ikonostase, që qëndrojnë të burgosura nëpër anekset e muzeve, e nëpër bodrume? Kishat tona po rrinë ende të mbyllura nën pretekstin e Monumenteve të Kulturës dhe po shkatërrohen e po ju prishen afresket, si në Voskopojë, Barmash e Vodicë të Ersekës etj. Manastiri i Ardenicës, që është një perlë e Orthodhoksisë shqiptare, një vend i shenjtë për ne, akoma shërben si hotel e klub, megjithëse ligjërisht e kemi marrë, se s’na e lëshoka Albturizmi?! Gjithashtu dhe trojet e tokat e Kishave. Asgjë s’po jepet, por, përkundrazi, në shumë vende iu janë ndarë fshatrave. Në shumë qytete në truajt e Kishës jepen nga Këshillat e Urbanistikës si vende për t’u ndërtuar apo për t’u vendosur kioska. Të gjithë të persekutuarve ju kthyen pronat. Por a kishte më të persekutuar se Kisha? Përse mos i kthehen pronat dhe objektet e saj. Apo kishës i mbetet vetëm të lëndohet kur jepet në televizion vjedhja e objekteve të saj?
3. Dioqeza e Korçës, ku ju ushtroni veprimtarinë, është e veçantë për nga traditat e komunitetit orthodhoks. Ç’mund të na thoni për gjendjen e tanishme, si dhe për problemet që ju kanë lindur në rrugën e ringjalljes së besimit?
– Dioqeza e Korçës, vërtet është e veçantë nga traditat. Këtë e tregon edhe festimi me madhështi i të Kremteve të Mëdha fetare, si Pashka, Ujët e Bekuar, Krishtlindjet etj. Po përtërihen traditat e vjetra, si p.sh., Nxjerrja e Epitafit të Premten e Madhe. Sivjet, ai u nxor nga tri Kisha dhe takimi u bë në qendër të Qytetit. Nuk ka asnjë lloj feste tjetër, si këto ditë dhe në Ngjalljen e Krishtit, që të mblidhet aq popull.
Por ky popull besimtar, shumë herë dëshpërohet kur luhet me ndjenjat e tij. Kështu, më dt. 3 prill, kur do të bëhej bekimi i vendit për ndërtifnin e Katedrales së Korçës, në mes të liturgjisë, erdhi urdhëri i pezullimit. Besimtarët u revoltuan dhe pas meshës së bashku me klerikët e qytetit, dolën dhe e bënë bekimin e vendit të Katedrales. Më vonë besimtarët atje vendosën një Kryq prej hekuri, që është simboli i kishës sonë. Padrejtësisht u hoq nga policia, që i ndaloi dhe personat që e kishin vënë për më shumë se 8 orë. Të rinjtë dhe gratë orthodhokse përsëri vendosën një kryq druri, e përsëri u hoq. Muajt kalojnë dhe për t’u plotësuar dëshira e disa personave jo të krishterë, ende s’po na jepet e drejta për të filluar ndërtimin e Katedrales së qytetit.
4. Le të kthehemi tek problemet e përgjithshme të KOASH: Kohët e fundit, po i jepet mjaft vend në Radio-Televizion dhe në 3-4 organe shtypi një farë “Komiteti të Autoqefalisë”. Ç’mendoni rreth kësaj dukurie?
– Ky “Komitet fantazëm”, çuditem nga na doli. Ai nuk ka lidhje me Kishën Orthodhokse Autoqefale, me asnjë klerik, dhe nuk përfaqëson asgjë. Dëgjova që kryetar ka një farë Petrit Bidoshi, emër që mua, si besimtar, nuk më thotë asgjë. Gjithashtu, dalin në televizion dhe disa parti ose shoqata, që na godasin vazhdimisht dhe me shumë “dashuri” publikohen nga Radio-Televizioni. Por me keqardhje them se nuk jepet as një protestë, përshëndetje apo deklaratë e besimtarëve orthodhoksë dhe e Kryepiskopit, Imzot Anastasit. Harrojnë drejtuesit e RTSH se orthodhoksët përbëjnë rreth 1/3 e popullsisë në këtë vend dhe kanë dhe ata të drejtat e tyre. E keqja është se Televizioni jep vetëm Komitetin e Autoqefalisë dhe disa parti e shoqata ekstremiste, kurse për KOASH, duke mos dhënë asgjë, mendojnë se e drejta është me ata. Por nga kush duan ta shpëtojnë KOASH, që sot e njeh gjithë bota orthodhokse me këtë emër. Duan që të largohet Kryepiskopi Anastas? Por ç’do bëhesh atëhere këtu, pa një hierark? S’do të na njihte më si autoqefalë asnjë kishë orthodhokse; në Jug do të vrapnin dhespotë grekë, në Veri dhespotë malazezë, në lindje bullgarë dhe rumunë etj. Apo duan këta zotërinj që ta kthejnë KOASH në një klub Autoqefal, duke e lënë si peshku pa kokë?
5. Sulmet kryesore, ky komitet dhe ata që i japin zë, i kanë drejtuar kundër Kryepiskopit Anastas, duke pretenduar se “misioni i tij ka mbaruar”, se “nuk ka hirotonisur 2 peshkopë”, se … Mund të na thoni opinionin tuaj, si përfaqësues i zgjedhur i trupit klerikal të KOASH-it?
– Vërtet i kanë drejtuar sulmet kundër kishës e Kryepiskopit Anastas. Fantazia e tyre thotë se misioni i tij ka mbaruar. Misioni i tij mbaron kur Zoti ta kërkojë pranë Tij në qiell. Por ne të gjithë lutemi që ta kemi pranë e të na ndihmojë e të na udhëheqë e të na rindërtojë Kishën tonë të shkatërruar. Janë dërguar edhe të rinj për studime të larta jashtë vendit, e do të vijë koha që të bëhen dhe dhespotë. Por një ushtar s’mund ta bësh përnjëherë gjeneral. Këtë e dinë mirë dhe ata që me paturpësi gënjejnë nëpërmjet ekranit e shtypit.
U bë zhurmë, me pretendimin se Kryepiskopi ynë s’ka pranuar të bëjë episkopë, një nga Tirana e tjetri nga Elbasani. I pari është Arjan Koja. Ishim bashkë studentë në vitin e parë të Seminarit Teologjik në Durrës. Dëshira e tij ishte të shkontë për studime në Boston. Pas mbarimit të vitit të parë e braktisi seminarin. E si mund të bëhet episkop, kur, siç e përmenda më lart, rregulli më elementar i Seminarit është që vetëm pasi të ketë mbaruar vitin e dytë mund të fillojnë shkallët e hirotonisë për klerik. I dyti, Nikolla Marku nga Elbasani edhe ai ishte bashkëstudenti im. Në qershor-korrik 1991 ishim në Kostur të Greqisë, me dëshirën për të mësuar për prift. Por, me ardhjen e Kryepiskopit Anastas, u kthyem për të vazhduar Seminarin Teologjik në Durrës, por vitin e dytë nuk e mbaroi (Z. Marku kurrë nuk ka vajtur në Greqi për specializim, siç shkruante dikush në “RD”). Sa për pretendimet që ngrihen, do të thoja, së pari, se është i martuar me 2 fëmijë dhe kanunet e Kishës s’e lejojnë që të bëhet episkop. E dyta, ka ardhur disa herë me disa bashkëqytetarë të tij për të kërkuar në Kryepiskopatë të hirotoniset dhiak. Por është i pamerituar. Këtë ua kemi thënë në sy. Vetë ne klerikët s’do të lejonim që Kryepiskopi të bënte prift një njeri të pamerituar, e jo të bëhej episkop.
6. Gjithashtu, shihen qartë përpjekjet e përsëritura për të përzier Kryepiskopin dhe KOASH në tensionet dhe problemet që lindin midis Shqipërisë dhe Greqisë?…
– Ju ka bërë përshtypje besimtarëve ky fakt, dhe nuk është vetëm mendimi im. Sa herë që acarohen marrëdhëniet ose ka ndonjë mosmarrëveshje midis Shqipërisë dhe Greqisë, dalin në televizion këto vegla llafazane, si Komiteti i Autoqefalisë ose parti të vogla e shoqata ekstremiste dhe godasin Kryepiskopin, Imzot Anastasin e KOASH. Eshtë për t’u çuditur, se menjëherë pasi qetësohen mosmarrëveshjet midis dy qeverive, qetësohemi dhe ne orthodhoksët, se nuk na qortojnë më Kryepiskopin tonë dhe Kishën. Mendoj, që politikanët është mirë të merren me politikën. Kisha s’merret me politikë, por vetëm me anën shpirtërore të njerëzve. Dhe këta politikanë, të na lenë rehat në punët tona shpirtërore dhe në vend që të merren me llafe të punojnë pak më shumë për këtë vend.
7. Tjetër fenomen, është se këto sulme i drejtojnë realisht persona që s’kanë të bëjnë farë me KOASH dhe komunitetin orthodhoks në përgjithësi?…
– Këto sulme i drejtojnë persona që vërtet s’kanë të bëjnë me KOASH. Së pari, ata s’kanë të drejtë të na gjykojnë, se i përkasin besimeve të tjera. Së dyti, janë ateistë në gjithë veprimet e mendimet që shprehin e si të tillë, s’kanë asnjë të drejtë në punët fetare në përgjithësi. Por ka të bëjë formimi i tyre.
Kurse për disa persona që e quajnë veten orthodhoksë, ata ishin dikur anëtarë të KOASH, por desnen të bënin ligjin e tyre në Kishë. Por Kisha ka kanonet e saj dhe jo të tyret dhe koha i largoi, ndaj sot vjellin vrer kundër Kishës e Kryepiskopit. Gjithashtu, na gjykojnë dhe ata pak pi-njollë të uniatizit, që në pretekstin se s’duan që Kryepiskopi të jetë grek, duan të futin kthetrat uniate në KOASH, në një kohë që këtë mënyrë veprimi e ka quajtur si të superuar nga koha e të dëmshme edhe vetë Vatikani.
8. Duket se synohet kryesisht të izolohet KOASH nga bota orthodhokse, ashtu si u tentua në kohën e mbretit Zog, ashtu si u bë në kohën e diktatorit Hoxha. Cili është mendimi juaj?
– Ka forca të errëta, që nuk ju intereson përparimi i KOASh me në krye Imzot Anastasin. Nuk e përtypin dot faktin që sot ajo është pjesëtare në familjen Orthodhokse Botërore të Kishave. Duan si në kohën e Mbretit Zog, i cili i premtoi shumë Kryepiskopit Visarion dhe si dha asgjë. Apo, si në kohën e diktatorit Hoxha, kur KOASH-së, të izoluar nga familja botërore e kishave, ju morën tërë pronat dhe mezi mbante vehten dhe klerikët me ndihmat e besimtarëve. Si do të më përgjigjeshit, po t’ju pyesja se sa kisha u ngritën nga viti 44-67? Pothuaj fare. Këta zotërinj kështu e duan Kishën, në agoni, apo që ta kenë si vegël për interesa politike.
9. Së fundi, në këtë kuadër problemesh, por edhe arritjesh të rëndësishme, si e shikoni të ardhmen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë?
– Të ardhmen e KOASH e shikoj me optimizëm. Me ndihmën e Zotit dhe të Kishës Mëmë të Patrikanës Ekumenike, që na dërgoi një hierark si Imzot Anastasi, Kisha jonë do të përparojë, vazhdimisht. Sot jemi anëtarë të familjes botërore të Kishave Orthodhokse. Jemi anëtarë të Këshillit Botëror të Kishave dhe Konferencës Europiane të Kishave. Të rinjtë orthodhoksë janë anëtarë të “Sindesmosit” (të rinjve orthodhoksë të botës). Kemi seminarin Teologjik. Disa studentë ndodhen jashtë vendit për studime të larta. Janë ngritur shumë kisha të reja dhe janë riparuar shumë të tjera. Jemi një ushtri klerikësh e seminaristësh, që kryejnë gjithë shërbesat e Misteret e Shenjta, në të gjithë vendin. Besimi në popull, dhe pjesëmarrja në Kishë është rritur e rritet vazhdimisht. Festat fetare festohen për çdo vit e më me madhështi.
Për të gjitha këto jam optimist. Dhe them përsëri. Me bekimin e Perëndisë dhe uratat e Imzot Anastasit Kisha jonë Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të përparojë e do të bëhet si motrat e saj kudo në botë.