EmailFacebookKontakt

Takimi Ndërfetar “Evropa, Religjonet dhe Paqja”

Nga 13 deri më 15 shtator 1992 u zhvillua në Luven dhe Bruksel të Belgjikës Takimi Ndërfetar me temë “Evropa, Religjonet dhe Paqja”. Në këtë takim ishin ftuar përfaqësues të dalluar të besimeve fetare më kryesore e gjithë bota: kristianë (orthodhoksë, katolikë, protestantë), myslymanë, induistë, budistë etj.

Ky takim ndërfetar organizohet nga Community of Saint Egidio me qendër në Romë dhe me degë në shumë vende të Evropës, Amerikës, Afrikës dhe Azisë.

Fjalën e hapjes (të dielën 13 shtator) e mbajti Presidenti i Republikës së Zimbabves Z. G. Mugabe dhe vazhduan ndërhyrje të përfaqësuesve të feve të ndryshme mbi temën: “Religjonet dhe solidariteti midis popujve, qëndrimi i feve ndaj problemeve të vjetra dhe të reja që shtrohen sot”. Një nga çështjet e ndryshme të veçanta të takimit që u studiuan të hënën 14 shtator ishte edhe “Shqipëria: e ardhmja dhe dialogu midis feve”. Mbi këtë temë foli Alfred Serreqi.