EmailFacebookKontakt

Takimi i Tretë i Komitetit Qendror të Këshillit Botëror të Kishave

Me ftesë të Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Anastasit, u zhvillua në Shqipëri Takimi i Tretë i Komitetit Qendror të Këshillit Botëror të Kishave, me pjesëmarrjen e figurave më të larta të këtij Këshilli.

Këshilli Botëror i Kishave është një organizatë ku bëjnë pjesë 342 kisha nga e gjithë bota dhe është hera e parë që një mbledhje e tillë mbahet në Shqipëri. Një gjë e tillë konsiderohet si vlerësim për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe shërben në të njëjtën kohë si një mjet mjaft i mirë dhe për rivlerësimin e imazhit të gjithë vendit.

Takimi u zhvillua në ambientet e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash, Durrës, me përfaqësues nga SHBA, Kanadaja, Rusia, Suedia, Danimarka, Argjentina, Egjipti, Afrika e Jugut, Australia, Shqipëria etj.

Të dielën pjesëmarrësit morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore, të kryesuar nga Fortlumturia e Tij, Imzot Anastasi dhe në një sërë aktivitetesh me karakter fetar e kulturor.

Të pranishmit nënvizuan entuziazmin e thellë në pritjen e ngrohtë që iu vu në dispozicion dhe shprehën befasinë e tyre për përparimin dhe zhvillimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ata e konsideruan këtë shkallë zhvillimi të Kishës, të barazvlershëm me progresin e bërë nga shoqëria shqiptare në të gjitha fushat.

Për zhvillimin e takimit, një kontribut të veçantë dha dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, që mundësoi dhe lehtësoi procedural e hyrjes në Shqipëri të pjesëmarrësve në takimin e Tretë të Komitetit Qendror të Këshillit Botëror të Kishave.

Zyra e Shtypit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë