EmailFacebookKontakt

Takimi i sivjetshëm i Grupit të Partneritetit Rajonal Evropian – në Shqipëri

Çdo vit, nën kujdesin e Këshillit Botëror të Kishave, organizohet takimi i Grupit të Partneritetit Rajonal Evropian (GPRE). Takimet e GPRE-së organizohen nga Zyra për Evropën, e Këshillit Botëror të Kishave, dhe kanë për qëllim të ofrojnë mundësi të shkëmbimit të informacionit, të koordinojnë si dhe të zhvillojnë politikat mes partnerëve ekumenikë që punojnë në Evropën Qendrore dhe Lindore. Takimi përfshin të gjitha agjencitë ekumenike dhe partnerë të ndryshëm kombëtarë të lidhur me Kishën që punojnë në rajon, veçanërisht ata të cilët janë të lidhur me Tryezat e Rrumbullakta të Këshillit Botëror të Kishave.

GPRE, është një rrjet i organizatave dhe strukturave diakonike ekumenike të kishave, që punojnë së bashku, për t’iu përgjigjur nevojave të njerëzve dhe për të nxitur fuqizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Këtë vit, ky takim u organizua në Shqipëri, në një nga ambientet në bregdetin e Durrësit, në datat 2-6 qershor 2004, nën kujdesin e Këshillit Botëror të Kishave dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, mbi 25 pjesëmarrës në takim, përfaqësues të kishave, të organizatave kishtare, atyre ekumenike si dhe agjencive të ndryshme të përfshira në programe zhvillimi dhe diakonike në Evropën Qendrore dhe Lindore, u mblodhën për të shkëmbyer opinionet dhe përvojat e tyre rreth një programi që përfshinte vizita në terren, prezantime të veprimtarive të ndryshme si dhe diskutime mbi çështje me interes për rajonin dhe aktivitete, të cilat realizohen në kuadrin ekumenik.

Programi i këtij takimi nisi me një vizitë në malësinë e Elbasanit, ku pjesëmarrësit patën rastin të vizitonin disa nga projektet e zbatuara nga zyra Diakonia Agapes (Shërbimi i Dashurisë), zyra sociale, e zhvillimit dhe e emergjencës e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në zonën e Shpatit ata u takuan me banorë të zonës, të cilët kanë qenë pjesëmarrës në programe të bujqësisë, blegtorisë si dhe shëndetit të grave. Mbresëlënëse për miqtë, ishte edhe vizita e bërë në Kishën e Shën Kollit (e vitit 1465), në fshatin Shelcan.

Gjatë hapjes së takimit, pjesëmarrësit u njohën me një historik të shkurtër të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë dhe përpjekjet që janë bërë gjatë 10-vjeçarit të fundit për rimëkëmbjen e saj, si dhe me një përmbledhje për Shqipërinë. Kjo ditë vazhdoi me një prezantim nga zëvendësministri i ekonomisë, zoti Luan Shahollari, i cili ishte ftuar të fliste mbi një analizë të përgjithshme mbi hapat e ndërmarra nga Shqipëria për afrimin e saj me Bashkimin Evropian. Prezantimi vazhdoi me pyetje dhe diskutime rreth përfshirjes së disa vendeve në Bashkimin Evropian dhe ndikimet që vijnë prej kësaj përfshirjeje.

Një nga pikat e rëndësishme të programit të takimit, ishte ndarja në grupe pune, ku u diskutua për katër çështje me shumë rëndësi: rritjen e kapacitetit të personelit që është i përfshirë në aktivitete zhvilluese dhe diakonike për njerëzit në nevojë, trafikimin e qenieve njerëzore, avokatinë dhe lobimin në mbrojtje të njerëzve në nevojë dhe të papërkrahur, si dhe çështjen e HIV/SIDA-s, të cilën shumë organizata dhe kisha, ndër të cilat edhe Kisha Orthodhokse e Shqipërisë kanë filluar ta adresojnë si çështje të një rëndësie të veçantë.

Një vend të veçantë në këto grupe pune zunë edhe prezantimet e iniciativave të ndërmarra në fusha të ndryshme të zhvillimit dhe shërbimit diakonik nga kisha, organizata dhe agjenci ekumenike të ndryshme në rajon.

Në një nga pasditet, pjesëmarrësit vizituan Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” dhe Shtëpinë e fëmijëve “Shpresa”, në Manastirin e Shën Vlashit.

Në Kryepiskopatën e Hirshme, pjesëmarrësit u takuan edhe me Fortlumturinë e Tij, Anastasin. Gjatë këtij takimi ata patën mundësi të njiheshin më nga afër me situatën dhe ndryshimet e ndodhura në vend, si dhe me arritjet e Kishës sonë ndër vite nën drejtimin e Kryepiskopit.

Në seancën mbyllëse të takimit u caktua grupi drejtues, i cili është përgjegjës për takimin e radhës së GPRE-së, si dhe për ndjekjen e detyrave të caktuara gjatë takimit të fundit. Kësaj radhe në këtë grup bën pjesë dhe Kisha jonë dhe përfaqësohet nga zj. Nina Gramo (Perdhiku), drejtore e Zyrës Diakonia Agapes.

Gjatë ditëve të takimit, miqtë të cilët kishin ardhur për herë të parë në vendin tonë, shprehën mendimet e tyre pozitive për Shqipërinë, mendime të cilat u mbështetën edhe nga pjesëmarrës të tjerë, të cilët kishin vizituar vendin tonë dhe herë të tjera.

N.G.