Nga dt. 5-8 tetor u mbajt një seminar në Durrës me temë: “Besimi fetar për zhvillimin e bashkësisë”, organizuar nga CAFOD Albania. Kjo organizatë ka filluar veprimtarinë e saj në Shqipëri që në vitin 1993 me projekte që përfshijnë gama të infrastrukturës si: rrugë, kanalizime, ujësjellës, qendra shëndetësore, shkolla etj., si dhe me kurse trajnimi, që kanë për qëllim rritjen e aftësisë drejtuese të pjesëmarrësve duke përdorur metoda që mbështeten në përfshirjen e komunitetit. Merrnin pjesë përfaqësues nga të gjitha besimet (mysliman, katolik, orthodhoks dhe bektashinj). Kisha jonë përfaqësohej nga një klerik dhe katër punonjës. Në seminar doli si çështje me rëndësi të veçantë lidhja e ngushtë e organeve drejtuese me njerëzit e thjeshtë dhe marrja në konsideratë e mendimit të tyre. Kjo mënyrë pune, u theksua në të, është një aparat matës mjaft i mirë, për të njohur nevojat reale të komunitetit në mënyrë që të merren masat e duhura, për të bërë ndryshime pozitive sociale e shpirtërore. Punimet e seminarit u përshkuan në tërësi nga një frymë e ngrohtë bashkëpunimi midis anëtarëve të besimeve të ndryshme. Mesazhi ishte nevoja e forcimit të lidhjeve të përbashkëta për të zbuluar gjuhën e vërtetë të dashurisë. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të dëshmojmë me vepra besimin tonë tek Perëndia dhe të bëhemi forcë lëvizëse e shoqërisë drejt zhvillimit e progresit.
Rajmonda Shqevi