Nga 12 deri më 18 maj, Shoqata e të Rinjve Orthodhoksë të Ballkanit në bashkëpunim me zyrën e katekizmit të dioqezës Shabac-Valjevos, të Kishës Orthodhokse Serbe organizoi një seminar, me asistencën e shoqatës rinore “Shën Sava”, të arqidioqezës së Beograd-Karlovski. Aty morën pjesë për herë të parë përfaqësues nga Kisha jonë, nga zyra e katekizmit dhe e rinisë. Kishte pjesëmarrje nga të gjitha kishat orthodhokse të Ballkanit: të Serbisë, Rumanisë, Bullgarisë, Greqisë dhe nga Patrikana Ekumenike.
Dy ishin temat që u diskutuan:
1. Katekizmi në traditën orthodhokse në kontekstin bashkëkohor dhe
2. Çështjet praktike të katekizmit.
Në seminar u theksua domosdoshmëria e katekizmit dhe gjetja e mënyrave të ndryshme për zhvillimin e tij me të gjitha moshat. Çdo delegacion solli përvojën e tij, librat që përdorin dhe mjete të tjera, për ta bërë sa më tërheqës katekizmin. Por, sollën edhe problemet që hasin, vështirësitë etj.
Aspekti pozitiv ishte, se në të gjitha vendet e Ballkanit, (përjashto Shqipërinë), zhvillohej mësim katekizmi në shkolla shtetërore, në të gjitha nivelet. Përveç kësaj të tëra kishat organizonin mësim katekizmi, kampe, takime rinore me fëmijët. Përfaqësuesi nga Novi Sadi solli përvojën e teatrit rinor, i cili organizonte shfaqje teatrale nga jeta e Zotit, Hyjlindëses, Shenjtorëve etj. Ky teatër ndihmon në afrimin dhe miqësimin midis të rinjve.
Përfaqësuesit nga Kisha jonë theksuan se Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, pas regjimit komunist, po e përjeton edhe një herë kohën Apostolike, falë drejtimit të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, i Cili e ngriti nga fundi i Hadit, është ringjallur dhe po predikon fuqishëm fjalën e Perëndisë në zemrat e njerëzve.
Për shkak të mosbërjes së katekizmit në shkollat publike, janë gjetur mënyra të ndryshme për të predikuar Ungjillin. U ngritën dhe u restauruan dhjetëra kisha, u ngritën zyra e rinisë dhe e katekizmit, që luajnë rolin kryesor në organizimin e mësimeve fetare. Interes të veçantë ngjalli historiku i grupit të katekizmit, i cili me bekimin e Kryepiskopit dhe duke patur ndër mend fjalën e tij: “Katekizmi është një hir i veçantë brenda Kishës”, ka predikuar kudo nëpër Shqipëri: që nga Vraka e Shkodra në veri deri në Ersekë e Përmet në Jug. Vatra e përgatitjes së katekistëve është Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit”. Atje u bënë të njohura mjetet e reja që përdoren për katekizëm, si në Tv, në Radio “Ngjallja”, kampet dhe teatrin e kukullave.
Ky pasqyrim tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve, të cilët kërkonin të dinin më tepër për organizimin e katekizmit, rinisë orthodhokse në Shqipëri etj.
Ne patëm bekimin të vizitonim dhe manastire të ndryshme, si ai i Celies, ku ndodhet varri i At Justin Popoviçit, një At i madh i gjithë Kishës Orthodhokse etj. dhe në manastirin e kryeengjëllit Mikail të Kaonës për herë të parë në historinë e këtij manastiri u krye shërbesa e mbrëmësores në shqip. Në manastirin e Novojl, pranë Novi-Sadit në Liturgjinë Hyjnore litania e dhjakut u kënduan në Shqip.
U larguam nga seminari duke marrë përvoja të reja, me shpresën e forcimit të lidhjes midis zyrave të katekizmit dhe rinisë së kishave orthodhokse të Ballkanit.
Dhjak Emanuel Lusha