Patrikanë Ekumenike
Takim ndërorthodhoks në Patmos
Në një intervistë të dhënë kohët e fundit gazetës greke “Orthodhoksia në Greqi dhe në botë”, Patriku Ekumenik Tërëshenjtëria e Tij Varthollomeu i pyetur për takimin e gjithë Patrikëve dhe Kryepiskopëve Orthodhoksë në shtator me rastin e festimit të 1900 vjetorit të shkrimit të Apokalipsit nga apostulli i shenjtë Joan Theologu, midis të tjerash theksoi: “Gjatë festimeve zyrtare të 1900 vjetorit të shkrimit të Apokalipsit të Joanit në Patmos do të zhvillohet edhe Takim i Primatëve të Kishave Orthodhokse në atë ishull të shenjtë, analog me atë të zhvilluar në Fanar në mars 1992. Ky takim nuk përbën Sinod, sepse në Sinode marrin pjesë të gjithë episkopët në aktivitet dhe jo vetëm Primatët e Kishave. Eshtë fjala për një takim jozyrtar dhe të painstitucionalizuar, i cili veç, siç e provoi takimi i ngjashëm në 1992, është shumë i rëndësishëm për sigurimin dhe shpalljen e unitetit të Kishës Orthodhokse dhe përcjelljen e mesazhit të saj në botën moderne. Shpresojmë se edhe kësaj here, udhëheqësit e Kishave Orthodhokse motra do t’i përgjigjen me kënaqësi ftesës për Takimin në fjalë. Mesazhi i tij do të jetë përsëri i rëndësishëm për njeriun e epokës sonë, sidomos në lindje të shekullit XXI, që pritet me shpresë por edhe me shumë shqetësim nga bota moderne.