EmailFacebookKontakt

Takim i Primatëve Orthodhoksë në Selanik

Në kuadrin e Selanikut – kryeqytet i kulturës evropiane ’97 – nga 26-30 shtator aty bëri një vizitë Patriku i Konstandinopojës Vartholomeu I. Ishin të ftuar e morën pjesë edhe Primatët e Kishave të tjera Orthodhokse, Patriku i Sërbisë Pavli, i Rumanisë Teoktisti, i Bullgarisë Maksimi, i Gjeorgjisë Ilia, i Shqipërisë Anastasi, si dhe përfaqësues nga kishat Ruse, Greke, Çekisë dhe Sllovakisë etj. Takimin e nderoi edhe Presidenti i Greqisë, Stefanopullos.

Takimi u ndoq me shumë interes nga mediat dhe besimtarët, ku do veçonim pritjen shumë të ngrohtë që iu bë kudo Kryepiskopit Anastas, si nga banorët, ashtu edhe nga emigrantët shqiptarë.

Të dielën, dt. 28, në Kishën e Shën Dhimitrit u bë një bashkëmeshim madhështor i gjithë Patrikëve, Kryepiskopëve e klerikëve të tjerë. Mori pjesë edhe Kryepiskopi Anastas, i cili celebroi në gjuhën shqipe, gjë që ngjalli mjaft gëzim në emigrantët e shumtë shqiptarë të pranishëm. Ndoshta ishte hera e parë që bëhej një shërbesë në shqip në këtë Kishë madhështore historike. Gjithashtu, edhe lutja para përlëshimit u tha po në shqip, nga Arkimandrit Joan Pelushi.

Në kuadrin e këtij takimi u bënë vizita edhe në Mitropolinë e Selanikut, Universitetin Aristoteli, në Ekspozitën me ikona e objekte nga Mali i Shenjtë etj. Gjithashtu, u asistua edhe në mbylljen e Konferencës për ekologjinë të vendeve të Nismës së Detit të Zi, ku morën pjesë shumë nga Primatët e kishave të pranishme.

Korresp. i “Ngjalljes”