Më 29 tetor, të dielën e gjashtë të Ungjillor Llukait, Kisha e Shën Spiridhonit të lagjes Goricë dhe Mitropolia e Shenjtë e Beratit pritën me ngrohtësi njëzet të rinj e të reja orthodhoksë nga qyteti i Elbasanit. Këta mysafirë të nderuar, me psalmet e tyre të këndshme dhe me vëmendjen e madhe për të dëgjuar dhe ndjekur Liturgjinë Hyjnore, të drejtuar nga Hirësia e Tij, Imzot Ignati, e gjallëruan së tepërmi dhe i dhanë një hijeshi rinore mjedisit të Kishës historike.
Në mbarim të meshës, të rinjtë orthodhoksë elbasanas bënë edhe një vizitë të paharruar në Mitropolinë e saporindërtuar.
Me gëzim e një kënaqësi shpirtërore i uroi mirëseardhjen Mitropolti i Beratit, Volrës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Imzot Ignati. Ai u shprehu mirënjohjen për nismën që morën për të vizituar Beratin, qytet i lashtë me tradita të përmendura në fushën e kulturës, të artit dhe veçanërisht të besimit tonë orthodhoks. Si dëshmi të çmuar për këtë fakt domethënës, Hirësia e Tij përmendi kodikët e famshëm, të ruajtur brez pas brezi në ajodhimën e kishës “Lindja e Hyjlindëses Mari”, që ndodhet në Kalanë e famshme me mbi dyzet kisha dhe që përbëjnë një nga thesarët më me vlerë të kulturës fetare dhe shoqërore jo vetëm për mbarë vendin tonë, por edhe më gjerë etj.
Në fund të kësaj dite, të mbushur me kaq shumë veprimtari, miqtë e nderuar elbasanas vizituan kishën bizantine të Shën Mëhillit, mbi lagjen Mangalem, kishën e lashtë të Shën Triadhës, kishën e Shën Vllahernës, si dhe kishën “Lindja e Hyjlindëses Mari”, të gjitha në lagjen “Kala” etj.
Ilia Zaka