EmailFacebookKontakt

Ta konsiderojmë pjesëmarrjen në Census si dhënie e dëshmisë së krishterë

Në tetor të vitit tjetër do të ripërsëritet Censusi për regjistrimin e popullsisë. Në ditët në vazhdim do të bëhet një test, një regjistrim pilot, për të cilin janë zgjedhur disa qytete, midis të cilave edhe Tirana. Në Census ka disa specifika, të cilat duhen ditur, për të bërë regjistrimin në mënyrë korrekte, për të pasur një rezultat sa më të afërt me realitetin. Këtë herë Censusi do të bëhet në mënyrë elektronike, ku regjistruesit do të kenë një tablet elektronik, ku do regjistrojnë të gjitha të dhënat që do të japin familjet. Regjistruesit në fund janë të detyruar t’ua tregojnë, për të kontrolluar nga individët nëse janë shkruar në mënyrë korrekte të dhënat e deklaruara. Pas kësaj, ata e regjistrojnë dhe transmetohet drejtpërdrejt në serverin qendror dhe nuk ka mundësi ndryshimi. Përsëri nuk u arrit ajo që kërkohej në regjistrimin e fesë, duke mbetur pyetja për besimin përsëri fakultative. Prandaj të gjithë duhet të jemi të vëmendshëm, për të shmangur neglizhencat nga ana e regjistruesve, që nuk përjashtohet të jenë të qëllimshme, si në Censusin e kaluar. Çdo besimtar duhet të jetë i vëmendshëm që të regjistrohet edhe besimi ynë. Pyetja fillimisht është se cilit besim i përkasim, ndaj së cilës duhet përgjigjur “TË KRISHTERË”. Pastaj do të ketë një pyetje tjetër, se cilit besim të krishterë i përkasim, së cilës do t’i përgjigjemi “TË KRISHTERË ORTHODHOKSË”. Personat që bëjnë regjistrimin, kanë detyrimin që të tentojnë 3 herë për të na gjetur në banesë. Në qoftë se nuk është e mundur t’i takojmë, atëherë është vënë një numër telefoni, me anë të të cilit mund të kërkojmë të lëmë një takim për herë të katërt dhe të kryejmë rregullisht regjistrimin. Gjithashtu, do të ketë edhe një numër ankesash, ku duhet telefonuar nëse vëreni parregullsi apo nuk jeni të bindur se të dhënat tuaja janë shkruar sipas deklarimit. Kisha jonë kërkon që të mos neglizhojmë, sepse nuk mund të harrohet që pak vite më parë, kur u krye Censusi, rezultatet për besimin ishin të papranueshme për Komunitetin Orthodhoks. Duhet ta konsiderojmë pjesëmarrjen në Census si dhënie e dëshmisë së krishterë.