EmailFacebookKontakt

Sulme tendencioze dhe dashakeqe

Sërish në Elbasan tentohet të kryehet padrejtësia e radhës kundër Kishës sonë. Një padi drejtuar Gjykatës së rrethit kërkon pronësinë e Bashkisë mbi godinën pranë Kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në lagjen Kala. Ajo firmoset nga Kryetari i Këshillit të rrethit, z. Eduart Kila, me pretendimin, se ka qenë objekt kulture. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga disa vendime gjyqësore, por kjo padi sui generis kërkon një shpjegim më të gjerë.

Kompleksi në lagjen Kala përbëhet nga kisha e godina 2-katëshe pranë saj, e cila deri në vitin 1967 shërbente për nevojat administrative të Kishës sonë. Në vitin 1967 ajo u sekuestrua, kështu që më 1991 kisha e godina (kjo e shkatërruar), iu kthyen menjëherë Komunitetit Orthodhoks të Shqipërisë nga Komiteti i parë pluralist e më pas u konfirmua me vendim gjyqësor, në vitin 1994 (ku dëshmoi që godina i përkiste KOASH edhe z. Stefan Marku, i ati i N. Markut). Ato funksionuan normalisht deri në tetor të vitit 1995, kur kisha u okupua dhunshëm nga i vetëshpalluri prift Marku, i ndihmuar nga segmente të errëta.

Në trazirat e 1997-s, do të okupohej me dhunë edhe godina, ku ndërkohë ishin bërë mbi 110 mijë dollarë investime, për ta kthyer në objekt social të Kishës (kopsht, klinikë etj.), në ndihmë të banorëve të Elbasanit. Ajo u përdor për përfitime abuzive, por një vendim i Gjykatës së Lartë sanksionoi përfundimisht pronësinë e Kishës sonë mbi të. Dhe pikërisht këtu qëndron e dhe çelësi për leximin e padisë së fundit.

Z. Kila ka qenë kryetar i Komisionit të pronave të rrethit Elbasan dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në pengimin e kthimit të pronave të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, siç është psh. zvarritja që nga viti 1996 i dosjes për Manastirin e Shën Jon Vladimirit. Nga ana tjetër, ai ishte bashkautor me N.Markun, i dosjes së kaluar në mënyrë të rrufeshme në Komisionin e pronave, që ky i fundit të merrte godinën në fjalë “Kisha Shën Maria e lagjes Kala” (ndërkohë, z. Kila kishte kaluar në poltronën e Kryetarit të Këshillit të rrethit). Ishte ky një vendim flagrant dhe abuziv, jovetëm se krijonte një subjekt dhe pronar të rremë, por edhe sepse nuk merrte parasysh asnjë nga vendimet e ligjore të deriatëhershme. Kështu u desh të kalohej në të gjitha shkallët e gjyqësorit, i cili jo vetëm i dha të drejtën Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, por sanksionoi përfundimisht dhe prerë, se nuk egzistonte ndonjë komunitet fetar me emrin “Kisha orthodhokse Shën Maria”, në Elbasan.

Përballë dështimit, me sy të errur nga tërbimi antiorthodhoks, z. Kila bëri padi kundër Vendimit të parë të Komisionit të pronave, që vetë e kishte përgatitur dhe hedh në gjyq subjektin inekzistent “Kisha Shën Maria”. Tashmë me pretendimin se ndërtesa është pronë e Bashkisë, duke injoruar gjithë vendimet gjyqësore të marra ndërkohë.

Kapakun këtyre veprimeve, ia vuri qëndrimi i mercenarit Marku, që u paraqit në gjykatë dhe i “fali” Bashkisë godinën, që nuk e zotëron dot më, vetëm e vetëm që ajo të mos u shërbejë besimtarëve e qytetarëve elbasanas, të cilët ka pretenduar se “i përfaqëson”!

Shpresojmë, se këto absurde do marrin fund shpejt, por të bëjnë përshtypje pozicionet kokëforta antiorthodhokse, përtej çdo logjike, të disa përfaqësuesve lokalë. Kjo nuk duhet të ngelet jashtë vemendjes së autoriteve kompetente, që shpesh mbeten tek leksionet në konferenca për bashkëjetesën fetare, por nuk bëjnë asnjë veprim, kur një Komunitet i tërë nëpërkëmbet nga persona të tillë.

T.D.