EmailFacebookKontakt

“Studentët nga dita në ditë rriten në besim”

Fundjava e 19 majit shënoi për ne, studentët e Seminarit Teologjik të Durresit, mbylljen e vitit shkollor 1995-1996. Si në çdo shkollë dhe te ne mbylljet e mësimeve janë nën peshën e provimeve, që nxjerrin në pah njohuritë e marra gjatë një viti. Prandaj, këtë javë, në mjediset e Seminarit, studentët në grupe me tekste e fletore në duar diskutojnë e përmbledhin njohuritë për t’u paraqitur sa më mirë në provimet përfundimtare. Preokupacioni i tyre është i ndryshëm. Dikush do të hedhë një hap të sigurt, duke mbaruar vitin e parë, të tjerë, duke e mbyllur vitin e dytë me stabilitet, e natyrisht, më i shqetësuar viti i tretë, që të kurorëzojë me sukses mundin e sakrificën 3-vjeçare. Provimet janë provime, por e rëndësishme është që studentët nga dita në ditë dhe nga viti në vit të forcohen në lutje, të lidhen me Ungjillin, të rriten në besim. Ne mbyllim vitin shkollor, por punë të mëdha na presin përpara në sezonin e verës, në grupet katekiste e mësimdhëniet e ndryshme, që i shpjegojnë kujtdo të vërtetën e besimit orthodhoks. Forcë e kënaqësi për këtë punë na dha takimi me Fortlumturinë e Tij Anastas, me të cilin për disa orë jo vetëm diskutuam si prindi me fëmijën, probleme që shqetësojnë Kishën, por morëm prej tij porosi, sugjerime e këshilla të vyera, që, duke i ruajtur, asnjëherë nuk gjendesh në vështirësi.

Në këtë shkrim nuk mund të lë pa permendur diçka të re që futëm në Seminarin tonë këtë vit: lëndën e Pinimatikës, që në esencë është zbatimi i mësimeve të Ungjillit dhe të flet për jetën e përjetshme dhe mundimet e përjetshme (Matth. 25:31-46). Mbi bazën e këtij mësimi, ne, nën kujdesin e drejtimin e At Luka Veronit, shkuam në spital, në shkollën e Handikapatëve dhe në Azile. Para nesh u paraqit një skenë sa e papritur, aq dhe prekëse. E papritur se ishte hera e parë që morëm një veprim të tillë dhe prekëse se gjendja shpirtërore e këtyre njerëzve, kryesisht në Azile, ishte për të ardhur keq. Këta njerëz të lënë në harresë kanë nevojë për komunikim, për një fjalë të ngrohtë, për t’u shprehur dashuria e interesimi si njerëz të gjallë. Bashkë me shokët rrimë e mendohemi duke thënë: Sikur të jenë prindërit e motrat apo vëllezërit tanë, si do të ndjehemi? Nuk e di, po vuajmë në shpirt për këta njerëz, saqë do të donim të ishim shpesh pranë tyre, të bisedonim, t’u buzëqeshnim, t’u tregonim gjithçka dimë, për t’i lehtësuar sado pak nga kjo gjendje shpirtërore. Kujtoj gëzimin e tyre për vajtjen tonë, falenderimet që na dhanë, shqetësime që na shprehën, dashurinë me të cilën na pritën, fjalët e ngrohta kur na përcollën e të tjera.

Gëzimi ynë rrjedh natyrshëm, kur në biseda me ta mësuam se dhe në vetmi atje ka njerëz besimtarë, që besojnë te Zoti, që duan Ungjillin, duan ikonë, duan të bësh një lutje për ta.

Shpesh them me vete, po ne që jemi të lirë, të shëndetshëm që disponojmë Ungjillin e Shenjtë, mbrekullitë e Krishtit e të Apostujve, jetën e martirëve, të shenjtorëve, a jemi aty ku duhet? Patjetër që kemi shumë për të bërë, për të kuptuar mirë Ungjillin, për t’u rritur shpirtërisht, në mënyrë që ta shikojmë këdo si vëllain tonë dhe të ndajmë gjithçka me të.

Këto vizita, nga njëra anë janë një ndihmë që u japim këtyre njerëzve, duke u treguar se Zoti nuk i ka braktisur, por i do e kujdeset për ta dhe nga ana tjetër është një ilaç që na liron e na pastron shpirtin tonë mëkatar.

Këtë mësim të Ungjillit, jo vetëm ne që jemi studentë, por kushdo që i thotë vetes orthodhoks, kudo qoftë, duhet ta rrisë e ta forcojë, ta shpërndajë e ta shndërrojë në një traditë të bukur të kishës tonë.

Dhiakon Jani Konomi
Student në Seminarin Teologjik Durrës