EmailFacebookKontakt

Studentë, jepni dëshmi për besimin tuaj!

Në mjediset e Manastirit të Shën Vlashit, më 27-28 shkurt, u zhvillua një trajnim katekizmi me studentë të Qytetit Studenti, nën drejtimin e At Luka Veronis, si dhe dy koordinatorëve, dhjak Emanuel Lusha dhe Ana Baba. Ishin përzgjedhur 12 studentët më aktivë në veprimtaritë kishtare e argëtuese që zhvillohen me të rinjtë orthodhoksë në qytezën studentore. Ky trajnim u programua në dy seanca me tematikë kryesore: “Si të japim dëshmi të besimit tonë”. Gjatë dy ditëve të trajnimit u mbajtën shërbesa fetare, predikime, diskutime biblike, si edhe biseda të hapura për ecurinë e punës që zhvillohet me studentët orthodhoksë.

“Të gjithë duhet të kuptoni që keni përgjegjësi si të krishterë të jepni dëshmi tek të tjerët për besimin tonë. Sigurisht, – iu tha At Luka studentëve, – duhet të keni guxim për të folur me të tjerët dhe të shpërndani lajmin e mirë. Profesioni i parë për të krishterët është Krishterimi. Për ne të krishterët themeli mbi gjithçka është Krishti. Përgjegjësia jonë është të ofrojmë një dëshmi të mirë. Ju mund të keni frikë dhe turp, por duhet të bëni një hap përpara me përpjekje dhe të jeni të guximshëm sepse dëshmia më autentike nuk është një formulë por jeta jonë, përpjekjet tona. Në jetën tonë ne duhet të kemi një drejtues shpirtëror, bashkëudhëtarë të besimit tonë si dhe duhet të kemi nxënësit tanë. Ftoni njerëz, qëndroni afër me ta si vëllezër.”

Nga ana e tyre studentët folën për sfidat dhe pengesat në jetën e tyre shpirtërore, problemet që kanë për t’u ofruar dëshmi të tjerëve, si dhe diskutuan për qëllimin konkret në jetën e krishterë. Gjatë kohës së Kreshmës së Madhe, duke u nisur edhe nga këshilla e Apostull Pavlit: “Lutuni pa pushim”, ata vendosën të ndjekin këtë shembull. Studentët luten në këtë kohë kreshme njëri pas tjetrit nga një orë secili gjatë 24 orëve të ditës. Gjithashtu ata vendosën që gjatë kreshmës, përveç lutjeve dhe kreshmimit të bëjnë në grup edhe vepra bamirëse.

Ja çfarë thanë vetë studentët pas trajnimit:

Helena – Kjo ishte një nismë e re për sa i përket gjithë aktiviteteve që zhvillohen në Qytetin Studenti. Edhe pse ishte një kohë e shkurtër, ky ishte një trajnim mjaft intensiv. Ne morëm ushqimin shpirtëror brenda këtyre studimeve biblike, shërbesave dhe diskutimeve shpirtërore. Por ne tani do të dalim në shesin e betejës ku duhet të luftojmë. Më shumë lutje, më shumë fuqi dhe më shumë besim tek Perëndia.

Nektari – Kjo ishte një përvojë e vlefshme dhe ne ia kaluam shumë mirë. Trajtuam disa tema me natyrë shpirtërore se si duhet të ecim ne në jetën tonë shpirtërore, si duhet të ndihmojmë të tjerët dhe si ta paraqesim veten tonë si të krishterë.

Anastasia – Jam e kënaqur nga ky trajnim, i cili na ndihmoi për të ecur më tej në jetën tonë shpirtërore sidomos në këtë periudhë kreshme.

Emanueli – Trajnimi na ndihmoi shumë, sepse tashmë ne dimë si t’i afrojmë shokët tanë në rrugën me Perëndinë.

Irena – Në këtë trajnim përfitova një besim akoma më të madh tek Perëndia dhe u afrova edhe më shumë me Atë.

Joani – Ishte një hap i madh përpara për ne studentët. Ishte një ndërgjegjësim për ne si të krishterë, si të ecim në këtë rrugë dhe çfarë përgjegjësish duhet të kemi.

I.K.