EmailFacebookKontakt

Stolitë e klerit në Kishën Orthodhokse

Në Kishën Orthodhokse, kleri vesh veshje të veçanta për shërbesat liturgjike. Dy janë veshjet kryesore. E para është rroba e pagëzimit. Kjo rrobë, e cila vishet nga episkopët dhe priftërinjtë në shërbesën e Kungatës së Shenjtë, dhe që zakonisht është e bardhë, është “rroba e shpëtimit”: petku i bardhë, me të cilin çdo i krishterë vishet në ditën e tij të pagëzimit dhe që simbolizon njerishmërinë e re të Jisuit dhe jetën në Mbretërinë e Perëndisë (Zbulesa 7:9). Kjo rrobë quhet stihar.

Rroba e dytë kryesore për klerin orthodhoks është petrahili (vjen rreth qafës dhe që shkon poshtë deri tek këmbët). Ai është shenja e detyrës baritore. Fillimisht bëhej prej leshi, për të simbolizuar dhentë – d.m.th. anëtarët e grigjës së Krishtit – për të cilët mbajnë përgjegjësi barinjtë. Episkopët dhe priftërinjtë e veshin këtë stoli kur ushtrojnë detyrën priftërore. Kjo shërben edhe si kujtim dhe dëshmi se priftërinjtë e Krishtit jetojnë dhe veprojnë për anëtarët e grigjës së Krishtit. Gjatë zhvillimit historik të Kishës, veshjet e klerit u shtuan më tepër. Për dhjakonët, priftërinjtë dhe episkopët u shtuan mbimëngët, për të mbajtur mëngët e veshjeve të klerit gjatë kryerjes së shërbesave. Kur klerikët veshin mbimëngët, ata thonë vargje prej psalmeve, për të kujtuar se duart e tyre i përkasin Perëndisë. Gjithashtu u shtua edhe një brez i veçantë, për të mbajtur veshjet në vend. Kur veshin brezin, klerikët thonë psalmin, që iu kujton atyre se është Perëndia, ai, i cili i “ngjesh me fuqi”, për të kryer shërbesat e tyre. Vetëm episkopët dhe priftërinjtë e mbajnë këtë stoli.

Kisha Orthodhokse qëndron fort në theksimin e saj, se veshjet liturgjike janë esenciale për adhurimin liturgjik, i cili përjetohet si realizim i Kungimit me Mbretërinë e lavdishme të Perëndisë, një Mbretëri e cila do të vijë në të ardhmen, por, që është gjithashtu tashmë me ne, në misterin e Kishës së Krishtit.

Protopresviter Thomas Hopko
Besimi Orthodhoks – vëllimi II, Adhurimi
Botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë, 1997