Stavrofor At Ligor Kristo Zografi ka lindur në fshatin Gostivisht të rrethit të Kolonjës më 2 korrik 1909. Fëmijërinë e kaloi në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën fillore e kreu në qytetin e Ersekës.
Rridhte nga një familje e varfër, me ndjenja të thella fetare e patriotike. Në fillim iu drejtua emigracionit, si shumë burra të atyre anëve, e më pas ushtroi profesionin e marangozit shëtitës, duke punuar në shumë vise të Shqipërisë. Që në vegjëli është edukuar nga prindërit e tij me ndenjë të thellë fetare, duke qenë një orthodhoks i përkushtuar. Qysh në moshë fare të re ka shërbyer si psalt, duke vazhduar deri sa u dorëzua prift. Në vitin 1953 plotësoi dokumentet për t’u hirotonisur prift dhe ia ka dorëzuar Kryehirësisë së Tij Imzot Paisit, për ta regjistruar dhe aprovuar. Në këtë kohë zotëronte dy gjuhë të huaja: greqisht dhe italisht. Më 16 maj 1955 u hirotonis prift prej Imzot Sofronit. Më 30 dhjetor të vitit 1954 u emërua zv/episkpal në Kolonjë.
Më pas dorëzohet Ikonom dhe në vitin 1960 transferohet në qytetin e Korçës. Në mars 1956 i përndershmi Ikonom At Ligor Zografi, me vendim të Sinodhit të Shenjtë, i jepet grada Stavrofor. Formalitetet e duhura fetare u kryen në kishën Katedrale të Korçës më 13 mars 1956.
Si klerik kishte marrëdhënie të mira me popullin e sidomos me besimtarët orthodhoksë duke gëzuar simpatinë dhe respektin e tyre. Personalisht bënte përpjekje të shumta për kompletimin e kishave me libra të nevojshme në gjuhën amtare, sidomos me përkthimet e Fan Nolit etj. Në shumë raste përkthente vetë nga literatura fetare greke dhe i predikonte në shqip sipas kërkesave për të kremte të ndryshme.
Por, mbi të gjitha ishte i shqetësuar nga qëndrimet armiqësore që mbante Partia e Punës dhe qeveria e atëhershme ndaj fesë, institucioneve fetare, klerikëve dhe besimtarëve. Duke u shtyrë nga këto ndjenja, Stavrofor At Ligor Zografi qysh atëherë i shkruante diktatorit Enver Hoxha. Për këto letra “armiqësore” organet e sigurimit të shtetit u vunë menjëherë në lëvizje, duke e arestuar dhe mbajtur për tre ditë në arrest. At Ligori pranoi se gjithçka e kishte shkruar vetë me bindjen dhe ndjenjën e tij dhe kërkonte që qeveria të merrte masat e të ndëronte politikën e saj, si për qëndrimin ndaj fesë, ashtu dhe për problemet e tjera që ngrinte. Për të demaskuar këto pikpamje të At Ligorit u sajua në lagjen ku banonte një gjyq farsë i zgjeruar të cilin e kryesonte sekretari i Komitetit të Partisë së Rrethit të Korçës.
Në qershor të vitit 1966 me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Korçës internohet në fshatin Korritë, me motivacionin “Për zhvillimin e aktivitetit armiqësor të agjitacionit e propagandës”, ku qëndroi në internim deri sa vdiq nga një sëmundje e rëndë, në korrik të vitit 1967.
Shënim: Të dhënat janë nxjerrë nga ditari i tij personal i cili gjendet pranë familjes.
Plotësim – Në listën e klerikëve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë duhet të shtohet në Dioqezën e Tiranës edhe At Joan Pelushi.