Stavrofor At Kozma Qirio është një nga të 17 klerikët e Kishës sonë Orthodhokse, që i mbijetuan rebeshit 25-vjeçar ateist-komunist, nga të rreth 350 klerikët që ajo ka patur deri më 1967. Eshtë një nga klerikët që kanë ditur edhe gjatë asaj periudhe të tmershme të kryejnë në fshehtësinë më të madhe misionin e tyre fetar dhe të mbajnë gjallë besimin tonë orthodhoks.
Eshtë nga Bestrova e Vlorës, i lindur më 1922 dhe i bërë prift më 1946 nga i ndieri ish Kryepiskop Visarion Xhuvani, atëherë mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, për të shërbyer si meshtar i Zotit në fshatin e tij të lindjes dhe në disa fshatra përreth, që nuk kanë patur prift. Dhe shërbeu, jo vetëm si meshtar. Duke qenë njohës i thellë i Shkrimit të Shenjtë dhe i traditave tona orthodhokse, ndonëse autodidakt, ai gjithënjë leçitte fjalën e Zotit, duke mbajtur predikime me çdo rast e sidomos gjatë të Kremteve të Mëdha të orthodhoksisë. Ka bërë madje përpjekje që fjalën e Zotit ta paraqiste dhe në formë poetike. Ka hartuar mjaft poezi, vërtet në stil të thjeshtë e popullor, por me përmbajtje fetare të lartë, të frymëzuara nga të dy burimet bazë të orthodhoksisë, nga Shkrimi i Shenjtë dhe Tradita, si edhe nga situata e vështirë në të cilën ndodhej Kisha jonë Orthodhokse nën regjimin komunist pas vitit 1944.
Po ja që erdhi dita e zezë e 6 shkurtit e vitit 1967, kur lufta kundër fesë dhe institucioneve të saj fetare, (e cila deri në këtë kohë zhvillohej e maskuar, por sistematike dhe e rreptë), arriti kulmin. Fjala e Enver Hoxhës e asaj dite hapte fushatën sheshazi kundër shkatërrimit dhe zhdukjes së plotë të çdo shenje fetare në vendin tonë, fushatë e cila u konkretizua me ligjet me të cilat shteti shqiptar shpallej i vetmi shtet ateist në botë dhe ndalohej e dënohej çdo veprimtari fetare. Se ç’u bë pas kësaj, dihet.
U detyrua atëherë dhe At Kozmai ynë të hiqte uniformën fetare dhe, i veshur me rrobat e punës, të punonte në Fermën Bujqësore të Bestovës, në sektorin e vreshtarisë. Por ama, veprimtarinë e tij fetare nuk e ndërpreu. Rregulloi një vend të posaçëm në shtëpinë e tij dhe atje, në orët 3-4 pas mesit të natës, në fshehtësinë më të madhe, kryente shërbesat fetare të së shtunës, të së dielës dhe të çdo të kremteje tjetër të Kishës. Dhe u shërbente jo vetëm besimtarëve të fshatit të tij, por edhe atyre të fshatrave të tjera të rrethit. Kudo që e kërkonin At Kozmain për të kryer ndonjë pagëzim, ndonjë kurorë, ndonjë varrim apo çdo shërbesë tjetër të Kishës, ai, me petrahilin dhe librin e Shërbesave të Shenjta në trastë shkonte dhe kryente detyrën. Njëkohësisht, mbante lidhje të rregullta edhe me klerikë e shpresëtarë të tjerë nëpërmjet të ndierit Theofan Popa që vepronin, po në fshehtësinë më të madhe, nëpër qytetet e fshatrat e tjera të vendit, siç qenë p.sh arsimtari shprestar Petro Xhuveli në Qeparo të Himarës, arsimtarja zonja Athina në Vlorë, e cila së bashku me shërbyesin e Kishës Apostol Bedulin, mbanin të pashuar kandilin e Shën Todrit dhe flakën e besimit në Vlorë, psalti ynë zëëmbël Vasil Saqellari në Durrës, Dhiakon Spiro Findiku, Koço Feshti, Av. Niko Cico, farmacisti z. Dhimitër Pinguli, Eleni Papajani dhe Elpiza Xhumitiku me grupin e grave shprestare dhe me epiqendër At Marko Paphjanin dhe episkopin Dhaniel Gulin në Tiranë; motrat Cico me grupin e tyre në Korçë veprimtare të shquara e të palodhura e shumë e shumë të tjerë.
Lidhje dhe korrespondencë At Kozmai ka patur edhe me shkruesin e këtyre radhëve. Sa herë që ai do të vinte në Tiranë, do të takoheshim, do të diskutonim rreth punës që duhej bërë në ato kohëra të vështira e plot rreziqe për mbajtjen gjallë të besimit. Herë pas here At Kozmai më dërgonte edhe nga ndonjë prej poezive të tij.
Një nga ato poezi është edhe poezia që po botojmë më poshtë. Më është dërguar më 21.12.1954 me rastin e Krishtlindjes. Ajo ç’ka e karakterizon këtë poezi është së pari shpresëtaria e thellë e At Kozmait, si edhe lutja që ai i drejton Zotit që të ruante grigjën e tij (Kishën tonë Orthodhokse) nga ujqërit (nga regjimi komunist i kohës) që po e përçanin dhe e shtypnin, ta shpëtonte e ta kishte nën mbrojtje.
Edhe sot At Kozmai vazhdon po me të njëjtin hov t’i shërbejë Kishës si meshtar dhe leçitës i fjalës së Zotit. Kryesia e Kishës, duke çmuar punën e tij të palodhur e të guximshme, e nderoi me gradën e Stavroforit dhe e caktoi si përfaqësues arkieratik në Mitropolinë e Beratit, me qendër Vlorën. Veç kësaj ai kryen detyrën e atit shpirtëror në Shkollën Hieratike-Teologjike në Durrës dhe bën pjesë si anëtar klerik në Këshillin e Përgjithshëm Administrativ të Kishës.
Dhimitër Beduli
POEZIA (1954):
O Fjalë e Perëndisë
nga Qielli ndër ne përmbi dhetë
me njerëzit u shokërove
për shpëtim të njerëzisë
nga skëterra na shpëtove
O Diell i ëmbël i drejtësisë
në Vithlehem, në një skipekë
linde prej Vajzes Marisë
foshnjë e shenjtë e pështjellë
O Zot, o mbret i Lavdisë
Neve t’ia ke mësuar
shembullin e përulësisë
nga koka na ke shkarkuar
O Qengji i urtë dhe i qetë
që linde në Vithlehem të Judesë
[qc_note: ocr_damaged_paragraph]
Bisha e ëmbël, kafshë e mirë
Mizë e dëlirë, e ëlbërbënxhar
Është vërejtur errësirë
kohë me e turbulluar.
Ujqër përqark grigjën tim
Zot, asnjë orë mos m’i ndaj
zëmrikët shpirti me tërbim
Cdo gjë do që ta përçajë
Shpëtomëzi, o Zot, nga ky rrezik
më ty thërrasim natë e ditë.