EmailFacebookKontakt

Sqarim – “Kur të themi se pakica duhet t’i shtrohet shumicës nuk kemi shtet shqiptar”

“Kur të themi se pakica duhet t’i shtrohet shumicës nuk kemi shtet shqiptar”
– Qëndrim dinjitoz i parlamentit pluralist tëvitit 1922 –

Në fund të Promemories së datës 18 tetor kemi shënuar përmbajtjen e neneve përkatëse për dispozitat e kushtetutave të viteve 1929, të kohës së Zogut dhe të 1946, të rregjimit komunist të Hoxhës, por, gabimisht, kemi lënë pa shënuar dhe dispozitat e nenit të kushtetutës së aprovuar në vitin 1922 nga Parlamenti me të vërtetë pluralist i asaj kohe, në të cilin kanë qenë prezent, midis të tjerëve dhe deputetët Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjahu, Sotir Peci, Koço Tasi, Agathokli Xhitomi, Ali Këlcyra, Bahri Omari, Sejfi Vllamasi, Visarion Xhuvani, Fan Noli, Ahmet Zogu dhe për të freskuar mendimet, që aktualisht janë të vlefshme edhe për sot, po japim një pasqyrë të shkurtër:

Në debatet e ashpra që janë zhvilluar, deputeti i Elbasanit, Ahmet Hastopalli, me mendime anadollake, kërkoi të cungohej liria e ndërgjegjes e të mos pranoheshin dy pikat e fundit të paragrafit 27 të kushtetutës, me pretekstin se, shumica e popullit janë muhamedanë dhe pakica e krishterë është mësuar t’i bindet asaj. Këto fjalë u kundërshtuan njëzëri nga deputetët Gurakuqi e Vinjahu, me arsyetimin se nuk është e vërtetë se është mësuar, por ka qenë e shtrënguar t’i bindet me përdhuni; kurse deputeti Bahri Omari për këtë ka deklaruar se: Unë, si deputet i Shqipërisë protestoj rreptësisht, se deri sa në ballë të statutit pranuam të vihet sigurimi i plotë i lirisë së fjalës, atëherë qysh mund të mohojmë lirinë e ndërgjegjes, prandaj paragrafin 27 duhet ta pranojmë në tërësi, nëse duam të formojmë një shtet europian e duam të formojmë vllazninë, se përndryshe në atë minutë, kur të themi se pakica duhet t’i shtrohet shumicës, nuk kemi shtet shqiptar (duartrokitje në parlament); Deputeti Ali Këlcyra, duke polemizuar ashpër me deputetin Hastopalli, midis të tjerave ka thënë: Ato që thoshin armiqtë jashtë Shqipërisë, mjerisht sot një deputet shqiptar, me fjalë të tjera, po i thotë brenda në parlament. Unë, në interesin e dinjitetin e shtetit shqiptar, i kundërshtoj dhe i rrefuzoj rreptësisht ato që thotë Z. Hastopalli, se pakica është mësuar t’i bindet shumicës e që lipset edhe sot, në Shqipërinë e lirë, të vazhdojë ashtu. Zotëria e tij dhe ata që mendojnë si ai, lipset ta dinë se në shtetin shqiptar të lirë nuk ka as shumicë muhamedane as pakicë të krishterë, por vetëm shqiptarë (duartrokitje në parlament). Veç kësaj, unë shoh dhe një dëm politik në mospranimin e këtyre paragrafëve, se në qoftë se neve do t’u mohojmë nënshtetasve shqiptarë këtë të drejtë, të cilën e kemi njohur zyrtarisht në Lidhjen e Kombeve, do të mbetemi para dilemës që të na nxjerrin nga Lidhja e Kombeve, si mosmbajtës të fjalës që kemi dhënë, ose të na imponojnë të tjerët ta njohim me pahir, me ç’nderim të madh për dinjitetin e kombit shqiptar. Cili është shkaku zotërinj që Lidhja e Kombeve dhe qeveritë e mëdha nuk donin të na njihnin shtetin shqiptar?…..”

Parlamenti, në përfundim mes duartrokitjeve ka pranuar paragrafin 27 (në seancën e datës 7 tetor 1922, ora 3.30 pas dreke, fletore zyrtare nr.44, dt. 30.8.1923) si vijon:

1) Shteti nuk ka fe zyrtare.
2) Të gjitha fetë janë të nderueme dhe liria e ushtrimit dhe praktikimit të jashtëm të tyre është e sigurueme.
3) Feja në asnjë mënyrë nuk formon pengim juridik.