EmailFacebookKontakt

SOP-i feston 25-vjetorin e krijimit

Nga bota e krishtere

Shërbimi Orthodhoks i Shtypit (SOP), France, festoi në 4 tetor 25-vjetorin e themelimit të tij. Celebrimet e rastit u bënë në Institutin e teologjisë orthodhokse të Shën Serzhit. Një shërbesë falenderimi u krye nga At Boris Bobriskoy, dekan i Institutit, në prani të Metropolitit Zheremi, president i Asamblesë të episkopëve orthodhoksë të Francës dhe Arkiepiskopit Serzhi, që drejton eksarkatin e enorive me origjinë ruse të Evropës Perëndimore (Patrikana Ekumenike), i cili është njëkohësisht edhe rector i Institutit.

Në përshëndetjen dërguar nga Patriku Ekumenik Vartholomeu, ndër të tjera theksohej, se “Pas 25 vjetëve veprimtarie të shërbimit tuaj, të cilit parardhësi ynë i paharruar, Patriku Dhimitrios, bekoi hapat e para, ne thërrasim mbi ju gjithë Hirin e Perëndishëm, ne ju falënderojmë për përpjekjet tuaja të admirueshme…. Kjo periudhë 25-vjeçare tregoi në faktet sa e nevojshëm ishte krijimi i një shërbimi të tillë dhe sa i çmuar ishte kontributi juaj dhe i bashkëpunëtorëve tuaj, për përhapjen e informacionit në Kishën e Shenjtë Orthodhokse, punë e realizuar me përulësi, për lavdi të Perëndisë… Eshtë për këtë, që ne celebrojmë këtë përvjetor dhe ne lutemi që Shpirti i Shenjtë t’ju ndriçojë dhe të drejtojë hapat tuaja në rrugën e paqes dhe të veprave të mira që janë më Jisu Krishtin, Zotin tonë…”.

Më pas u dha një pritje, në të cilën morën pjesë rreth 550 vetë, klerikë, bashkëpunëtorë etj., mes të cilëve shumë të rinj. At Mishel Edokimov, drejtor i SOP-it, faënderoi gjithë ata që kanë kontribuar në vite, duke nisur nga themeluesi, gazetari Zhan Çekan.

Edhe redaksia e “Ngjalljes”, që ka pasur kontakte të shpeshta dhe shkëmbim të pasur informacioni me SOP, e uron në këtë përvjetor, që me bekimin e Perëndisë të vazhdojë edhe për shumë vjet akoma rrugën e suksesshme në të cilën ka ecur.