Humbja e At Sotirit dhe e priftëreshës Marjana i tronditi të gjithë besimtarët orthodhoksë. Dhe jo vetëm ata: Në shërbesat e përmotshme shikoje edhe shumë njerëz të thjeshtë, që i kishin njohur e vlerësuar ata për thjeshtësinë, dashurinë dhe gatishmërinë për të ndihmuar këdo që ishte në nevojë.
Gjithashtu, në këtë humbje tepër të rëndë, familjes iu gjetën pranë dhe e ngushëlluan njerëz e institucione me të cilët At Sotiri kishte bashkëpunuar në këto vite, si punonjësit e TV Shqiptar, apo të komuniteteve të tjera fetare, që dërguan letra ngushëllimi apo ishin prezentë në ceremoninë e përmotshme.
Por, me gjithë fuqinë e tij ky solidaritet u duk në kujdesin për dy fëmijët e plagosur, e sidomos për më të voglin, i cili që në çastet e para u duk se ishte mjaft rëndë, në koma. Të rinj, gra orthodhokse apo punonjës të Klinikës së “Ungjillëzimit” ishin vazhdimisht pranë tyre. U bë sjellja e tyre me helikopter nga Elbasani në Spitalin Ushtarak dhe më pas, me interesimin dhe kujdesin e drejtpërdrejt të Kryepiskopit Anastas, i cili e ndoqi nga afër në çdo hap gjendjen e tyre, duke i vizituar e dhe në spital, u bë i mundur dërgimi i fëmijës në gjendje të rëndë në një spital të specializuar në Selanik të Greqisë, me një aeroplan të posaçëm.
Të shumtë ishin edhe ata që erdhë çdo ditë për t’u interesuar për gjendjen e tyre shëndetësore dhe ofruan ndihmën e tyre nëse ishte e nevojshme, edhe në të holla.
Të gjithë atyre, u shkon një falenderim i thellë nga zemra i gjithë komuniteit orthodhoks dhe familjarëve të fëmijëve, të cilëve ky solidaritet ua lehtësoi sadopak dhimbjen e pamasë.